Aleanca e Grave për Integrim (Women’s Alliance for Integration/WAI), më 20 prill ka mbajtur sesion informues me gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nga fshati Magure dhe Medvec në Komunën e Lipjanit.
Në këtë takim u diskutua lidhur me rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave dhe ndikimin e tij në rritjen e mirëqenies së përgjithshme të grave.
Qëndrim Gashi, përfaqësues i Zyrës për Ndihmë Juridike Falas në Komunën e Lipjanit ka informuar gratë pjesëmarrëse për të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi si dhe për të drejtat në ndarjen e përbashkët të pasurisë.
Gashi ka shpjeguar të gjitha shërbimet falas që kjo zyrë ofron, si dhe kriteret të cilat duhet plotësuar për të përfituar nga shërbimet për ndihmë juridike falas. Gjithashtu, gratë u informuan edhe për përparësitë të cilat u jepen në rast të regjistrimit të përbashkët të pronës.
Kurse, më 21 prill, kjo organizatë ka vazhduar sesionet informuese me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian edhe në Komunën e Fushë Kosovës.
Abaz Xhigoli, Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në këtë komunë ka informuar gratë mbi të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi.
Përgjatë këtyre dy aktiviteteve, gratë diskutuan së bashku për fuqizimin ekonomik të grave, si dhe ndanë përvojat e tyre lidhur me proceset në lidhje me marrjen e trashëgimisë apo të drejtën në pronë.
Të dy këto aktivitete u realizuan falë mbështetjes organizative të marrë nga rundi i 16-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), financuar nga Sigrid Rausing Trust.