Mbi 20 gra e vajza të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas u mblodhën në shkollën fillore ne Gadime të Lipjanit për të diskutuar për shëndetin mendor e seksual, por edhe për t’u informuar për shumë të drejtat që gëzojnë.
Forca shtytëse e kësaj nisme është organizata anëtare e RrGK-së, Women Alliance for Integration (WAI) e cila mban këto ligjërata në kuadër të nismës “Mobilizmi i grave dhe vajzave rome, ashkalike dhe egjiptiane për të drejtat mbi shëndetin mendor dhe seksual,” që mbështetet nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Adelina Qorraj Emini drejtore e WAI, thekson përparimin e rëndësishëm që kanë bërë në fuqizimin e grave në komunën e Lipjanit.
“Qëllimi kryesor është vetëdijesimi i tyre për t’i mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të mos heshtur. Me largu frikën, me u mobilizu me i kërku të drejtat e tyre. Ky është qëllimi ynë kryesor,” shprehet ajo.
Pjesëmarrëset e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në shumicën e rasteve kanë arsim të kufizuar formal e nganjëherë disa nga to nuk dinë as shkrim e lexim.
Andaj edhe prekja e temave më të ndjeshme sikurse që është shëndeti mendor dhe ai seksual, e bën të vështirë punën e psikologes. Megjithatë, Fjolla Ibrahimi Starabaja në ligjëratën në Gadime, sikurse edhe në dhjetëra të tjera mbajtur deri tash me WAI, i përshtatet kërkesave të grave dhe vajzave në mënyrë që të jetë sa më e kuptueshme.
“Temat e prekura kane qenë për stres, ankth, depresion, para e pas lindjes. Mund të them se këto grupe, janë pak ose fare të shkolluara, andaj edhe unë zhvilloj sesione me bashkëbisedim duke marrë rekomandime prej grupeve punuese, për të diskutuar temat që atyre iu interesojnë,” thotë Fjolla e cila tha se në secilën ligjëratë mundohet t’i informojë gratë për të drejtat e tyre.
“Shumë pak gra e dinë se çka munden më kërku prej institucioneve, cilat janë të drejtat e tyre, si raportohet një rast i dhunës ku unë lirisht mund te them, jo vetëm si psikologe por edhe si punëtore sociale që e bëj në përditshmëri, prej këtyre takimeve ka rrjedh që një numër i madh i grave edhe kanë hapur raste të dhunës në familje,” tha ajo.
Me gratë dhe vajzat e këtyre komuniteteve si Fjolla ashtu edhe Adelina kanë biseduar edhe për martesat e hershme dhe ndikimin e tyre si nga ana ligjore ashtu edhe nga ajo psikologjike.
Në këto ligjërata u theksua se rëndësia e arsimit si një mjet për të thyer ciklin e varfërisë dhe për të krijuar familje të edukuara dhe të arsimuara.
WAI është përfituese e grantit të raundit të 18-të të Fondit të Grave të Kosovës në kuadër të nismës se RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II” financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).