Me Ligjin e ri për Barazi Gjinore (Ligji 05/L-020), Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) është bërë obligim ligjor në Kosovë. Megjithatë edhe pse është obligim për të gjitha organizatat buxhetore, shumë pak prej tyre posedojnë përvojën për të integruar BPGJ-në, e cila paraqet një strategji për integrimin e perspektivës gjinore në dokumente dhe procese buxhetore. Mirëpo, fatmirësisht, çdo organizatë buxhetore (çdo ministri dhe çdo komunë) ka një Zyrtar për Barazi Gjinore (ZBGJ), që është përgjegjës për integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha politikat, rregulloret, strategjitë dhe buxhetet e institucionit përkatës.
Andaj, me 9 Shtator, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), në bashkëpunim me Agjencionin për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit (ABGJ), organizuan një punëtori mbi BPGJ-në për ZBGJ-të e komunave dhe ministrive të Republikës së Kosovës.
Edi Gusia, Udhëheqëse e Divizionit për Monitorim dhe Vlerësim në ABGJ dhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK mbajtën fjalimet hyrëse, ku theksuan rëndësinë e madhe të BPGJ-së.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit rishikuan definicionet juridike dhe praktike të BPGJ-së; mësuan një metodologji se si “bëhet BPGJ, metodologji kjo e pilotuar në dy komuna dhe dy ministri në Kosovë; morën informata mbi kërkesat e Qarkores Buxhetore 2016/02; dëgjuan përvojat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë për mënyrën se si ata integruan BPGJ-në si një shtojcë në buxhetin e tyre vjetor 2016; dhe pastaj kishin rastin të testojnë këto njohuri përmes një pune praktike direkt në dokumente buxhetore.
Nicole Farnsworth dhe Donjeta Morina nga RrGGK mbajtën trajnimin dhe përkrahën pjesëmarrësit gjatë punës praktike.
“Ministritë dhe komunat tuaja varen nga ju gjatë këtij procesi,” tha Donjeta Morina gjatë punëtorisë. “Vetëm ekspertiza juaj mund të ndihmoj që BPGJ të integrohet në të gjitha dokumentet dhe proceset buxhetore,” vazhdoi ajo, duke theksuar që BPGJ përbën një instrument shumë të rëndësishëm për të çuar përpara çështjet e barazisë gjinore në mbarë Kosovën.
Prandaj RrGGK shpreson që ZBGJ-të do të përdorin aftësitë e përfituara gjatë kësaj punëtorie, për të përkrahur organizatat e tyre buxhetore përkatëse në mbledhjen e të dhënave të ndara sipas gjinisë, që do të përdoren për të draftuar dokumentet buxhetore afatmesme prej janarit.
Edi Gusia inkurajoi të gjithë ZBGJ-të që të mbledhin të dhëna sipas gjinisë për disa kategori ekonomike dhe t’i dërgojnë ato në formë raporti tek ABGJ. Më saktësisht, ZBGJ-të duhet të mbledhin informata mbi pagat dhe mëditjet për gra dhe burra; nivelet e pagave për gra dhe burra dhe të identifikojnë nëse ka pabarazi të mëdha në pozitat vendim-marrëse; si dhe të mbledhin të dhëna sipas gjinisë mbi përfituesit e subvencioneve.
Një analizë e tillë gjinore në kategori kyçe të buxhetit është hapi i parë drejt identifikimit të pabarazive që mund të adresohen përmes planifikime afatmesme dhe afatgjata.
Kjo punëtori është përkrahur prej Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit (GIZ).