“Vetëdijësohu për një jetë më të mirë” është emri i projektit i cili po zhvillohet nga organizatat anëtare të RrGGK: Gruaja Hyjnore dhe Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (SHEPF), të cilat kanë përfituar nga raundi i gjashtë i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).
Ky projekt ka për qëllim vetëdijesimin e të rinjëve rreth sëmundjeve seksuale transmetuese, HIV/AIDS si dhe për lëndët narkotike.
Takimi i radhës u mbajt me 21 tetor në fshatin Bec, Komuna e Gjakovës, me prindërit dhe mësimdhënesit e nxënësve që kishin marrë pjesë në këto ligjerata më herët. Qëllimi i takimit ishte të diskutohet rreth hapave të mëtutjeshëm dhe të mirren rekomandimet e nënave dhe mësimdhënësve për formën dhe metodat e përdorura gjatë ligjeratave me të rinjët deri më tani.
Shumica e nënave u pajtuan se një lëndë për edukatë shëndetësore duhet të ekzistojë si lëndë obligative në shkollat fillore për nxënësit e klasave shtatë, tetë dhe nëntë. Disa prej tyre poashtu pohuan se edhe vetë e kanë të vështirë të hapin këtë temë me fëmijët e tyre. Ndërsa të tjerat u shprehën se shumicën e kohës ato janë pre e mentalitetit ku diskutimet e tilla ende mbesin tabu dhe nuk diskutohen mes prindërve dhe fëmijëve.
“Ne nuk e kemi zakon që të diskutojmë për tema të tilla prandaj shpesh fëmijët mbesin të pa informuar. Mua më ka ndodhur të marrë inicativën dhe të hapë këtë temë me fëmijët, mirëpo burrit i është dukur si temë që nuk duhet të diskutohet,” u shpreh një nënë prezente në takim.
Diskutime të shumta pati për tema të ndryshme në lidhje me nxënësit, mirëpo mësimdhënësit u shprehen se mënyra më e mirë për t’i parandaluar të gjitha dukuritë negative është që nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Si pëfundim në mënyrë unanime të gjithë vendosën se duhet të avokohet më tej që temat e tilla të ligjerohen në shkollë, dhe të përfshihen në një lëndë obligative të quajtur: Edukatë Shëndetësore. Përfaqësueset e organizatës SHEPF pohuan se tashmë kanë filluar të adresojnë këtë kërkesë tek organet kompetente.
Fondi i Grave të Kosovës mbështetet nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Kvinna till Kvinna (KtK).