Me 12, 13 dhe 14 nëntor, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe zyreve ligjore u mblodhën në Pejë për një punëtori shumë të rëndësishme: për të shqyrtuar tri projektligje për të drejtat e njeriut, përfshirë këtu Projektligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Projektligjin për Barazi Gjinore dhe Projektligjin për Avokatin e Popullit. Donjeta Morina përfaqësoi RrGGK-në dhe paraqiti komentet e konsoliduara të RrGGK-së.
Në komentet e RrGGK, u kërkua që zyrtarët për barazi gjinore nëpër komuna dhe ministri të vendosen në nivelet më të larta vendimmarrëse (dhe jo në kuadër të departamenteve të resurseve njerëzore). Kjo është e rëndësishme, në mënyrë që ata të mund të përfshijnë perspektivën gjinore në të gjitha politikat, planet, programet, buxhetet dhe punën e institutucioneve në të cilat ata shërbejnë (gjë që nuk është e mundur të bëhet nga departamenti i resurseve njerëzore).
Së dyti, RrGGK bëri thirrje që Ligji për Barazi Gjinore në mënyrë më të qartë të krijojë mekanizma për raportimin e shkeljeve të ligjit dhe sanksione më të ashpra për këto shkelje. Momentalisht, Ligji ofron pak përfitime apo kompenzime për personat që mendojnë të raportojnë diskriminimin në baza gjinore. Kjo dobësi është parë si pengesë potenciale në zbatimin e Ligjit aktual.
Së treti, RrGGK kërkoi që Ligji të përfshijë definicionet e duhura të termeve grua/femër dhe burrë/mashkull. Definicionet e mëparshme (të roleve gjinore të përcaktuara në mënyrë shoqërore) dhe më vonë (në kuptimin biologjik) janë ngatërruar pandërprerë brenda Ligjit. RrGGK poashtu rekomandoi që të sqarohen termet që lidhen me personat transgjinor, identitetin gjinor, dallimin në mes të gjinisë dhe seksit. Edhe ligjet tjera kishin probleme të ngjashme sa i përket formulimit nga perspektiva gjinore. Për shembull, Ombudspersoni shpesh referohej si “Obmudsman” apo “Ai”. Pjesëmarrësit kërkuan që këto gabime të korrigjohen.
“Rishikimi dhe shqyrtimi i këtyre projektligjeve është shumë me rëndësi,” tha Besim M. Kajtazi, Drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit. “Këto tri ligje do të përbëjnë një pako të vetme për të drejtat e njeriut. Kualiteti i pakos është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për t’i përmbushur kushtet e Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave.”
Në ditën e dytë, e cila u moderua nga z. Kajtazi, u diskutua Projektligji për Barazi Gjinore. Ndërsa, në ditën e tretë e cila u moderua nga Baki Gimolli, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, u diskutua Projektligji për Avokatin e Popullit.
Secili nga këto tri projektligje u shqyrtua nga pjesëmarrësit nen për nen. Shumë prej rekomandimeve të dhëna, në rastet kur shumica e pjesëmarrësve pajtoheshin, integorheshin aty për aty në projektligj.
“Êshtë shumë mirë që po i marrin seriozisht rekomandimet tona, kjo të jep njëfarë shprese që bashkëpunimi në mes të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile do të shtohet dhe do të mirret më seriozisht,” tha Ardiana Osmani, përfaqësuese e CiviKos-it.
Mbetet të shihet nëse të gjitha komentet do të përfshihen në projektligj.