Ambasada Britaneze dhe akterët kryesorë diskutojnë fuqizimin ekonomik të grave

 Me 5 mars, në një diskutim të organizuar nga Ambasada Britaneze në Union Café në Prishtinë, u mblodhën disa organizata, praktikues, institucione dhe zyrtarë për të diskutuar fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë. 
    Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), gjatë këtij takimi ngriti disa çështje në emër të RrGGK. Një çështje kyçe që minon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës është mungesa e objekteve të kujdesit ditor për fëmijë, të cilat do të kishin çmime të përballueshme financiarisht, gjë që pengon gratë të jenë pjesë e fuqisë punëtore, pasi që sipas normave tona sociale, gratë janë ato që duhet të kujdesen për fëmijët, në mesin e pjesëtarëve tjerë të një familjeje.
     Hapja e qendrave të kujdesit ditor për fëmijë me çmime më të përballueshme, përveç  që do të ofronte mundësi të reja punësimi për shumë gra, poashtu do t’iu mundësonte shumë të tjerave të jenë pjesëmarrëse në tregun e punës.
         Qosaj-Mustafa poashtu ceku rëndësinë që Planet lokale të Zhvillimit Ekonomik të jenë në të njëjtën vijë me planet e Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe planin e punësimit. Të gjitha këto duhet të përfshijnë perspektivën gjinore. Ajo shprehu shqetësim lidhur me atë se hartimi i planit qeveritar në një afat kohor prej vetëm gjashtë muajsh ishte problematik, pasi peridhua kohore për planifikimin e duhur ishte shumë e shkurtër. Ajo poashtu ceku rëndësinë e rezervimit të buxhetit që planet të zbatohen dhe të sigurohet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në këto plane.
      Qeveria e Kosovës do të mund të marrë masa shtesë proaktive në drejtim të rritjes së punësimit të grave. Përshembull, zbatimi i kuotës për punësimin e grave dhe burrave përmes linjës buxhetore të subvencioneve të qeverisë mund të kontribuojë në punësim, pasi që gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara, sidomos në pozita vendim-marrëse, tha ajo. Kjo do të ishte në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, që parasheh 40% të pjesëmarrjës së burrave dhe grave në të gjitha institucionet në të gjitha nivelet.
     “Mënjanimi i grave në pozita më të ulta ose edhe në sektorin privat ndikon edhe në sektorin publik,” tha Ariana Qosaj-Mustafa. “Një numër shumë i vogël i grave janë zgjedhur që të udhëheqin ministritë, për shembull. Ligji për Barazi Gjinore nuk po implementohet.” 
    RrGGK mirëpret bashkëpunim me institucionet dhe organizatat që punojnë për fuqizimin ekonomik të grave dhe zhvillimin ekonimik për të siguruar që konteksti social, ekonomik dhe politik i Kosovës të mirren parasysh mjaftueshëm sa i prket planifikimit dhe zbatimit të programeve.