PROTESTË KUNDËR VRASJES SË GRAVE
FEMICIDI ËSHTË URGJENCË KOMBËTARE!
Kërkesat për parandalimin e femicidit dhe mbrojtjen e grave nga dhuna
Femicidi nuk ndodh pa paralajmërim. Shpesh paraprihet nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës, për të cilat institucionet mund të kenë qenë të njoftuara. Parandalimi kërkon institucione që veprojnë me kohë, ligje që adresojnë femicidin, shërbime funksionale dhe buxhet të mjaftueshëm. Në këtë protestë, ne kërkojmë veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale:
1. Njohja e femicidit në Kodin Penal
Të ndryshohet Kodi Penal i Kosovës, duke e përkufizuar dhe kriminalizuar femicidin (vrasje e grave) si vepër të veçantë penale. Sikur në vendet tjera në rajon dhe Evropë, hetimet duhet të marrin parasysh motivin gjinor, historikun e dhunës, kërcënimet, kontrollin dhe përndjekjen që mund t’i kenë paraprirë vrasjes.
2. Krijimi i mekanizmit Femicide Watch
Të krijohet një mekanizëm që mbledh dhe analizon të dhënat për vrasjet e grave, shqyrton nëse viktimat kishin raportuar më parë dhunë dhe identifikon mundësitë e humbura për ndërhyrje. Analizat duhet të shërbejnë për rekomandime konkrete dhe llogaridhënie institucionale.
3. Buxhet i mjaftueshëm dhe i qëndrueshëm për shërbimet e mbrojtjes
Të sigurohet financim i mjaftueshëm për:
- Dy punonjës socialë shtesë në secilën nga 37 komunat dhe katër në Prishtinë, me kosto prej 18,130€ për secilën komunë dhe 36,260€ për Prishtinën në vitin 2027. Gjithashtu, kërkohet forcimi i kapaciteteve të tyre për identifikimin e rrezikut dhe menaxhimin e rasteve.
- Financim i plotë dhe i qëndrueshëm i strehimoreve përmes një linje të veçantë buxhetore: 2,339,632 € për vitin 2027.
- Financimi i linjës telefonike emergjente 24/7: 150,727 € për vitin 2027.
4. Zbatimi i ligjeve dhe përgjegjësia institucionale
Të miratohen aktet nënligjore dhe protokollet e nevojshme për funksionalizimin e shërbimeve. Policia, prokuroria, gjykatat, qendrat për punë sociale dhe institucionet shëndetësore duhet të bashkëpunojnë, të vlerësojnë seriozisht rrezikun dhe të ndërhyjnë para se dhuna të përshkallëzohet.
Mbrojtja e grave kërkon ligje funksionale, mekanizma efektivë, financim të qëndrueshëm dhe institucione që mbajnë përgjegjësi.
Femicidi është urgjencë kombëtare. Parandalimi është detyrim institucional.
