Partners Kosova vazhdon të informojë gratë për të drejtën e tyre në trashëgimi dhe pronë

Partners Kosova vazhdon të informojë gratë për të drejtën e tyre në trashëgimi dhe pronë

Me mbështetje nga Fondi i Grave të Kosovës, vitin e kaluar, Partners Kosova ndërmori iniciativën për të informuar gratë nga katër komuna të Kosovës (Drenas, Skenderaj, Lipjan dhe Ferizaj) si të avokojnë për të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi. Duke u bazuar në suksesin e arritur dhe interesimin e madh që gratë kanë shfaqur për këtë iniciativë, Partners Kosova vazhdoi me një iniciativë të ngjashme edhe në vitin 2015, duke u mbështetur përsëri nga Fondi i Grave të Kosovës me vlerën 2,390 Euro.
Këtë vit kjo organizatë është përqendruar me aktivitet e saj në Malishevë dhe Rahovec.            
    Takimi i parë u mbajt në Malishevë, me datë 29 maj ku morrën pjesë 17 gra nga Malisheva si dhe përfaqësuese të RrGGK-së dhe të OSBE-së.
Tema kryesore e takimit ishte “Të drejtat e grave në ndarjen e pronës dhe e drejta në trashëgimi, si dhe udhëzimet relevante se si ato të avokojnë për të drejtat e tyre në institucionet e Kosovës.”
     Me qëllim që bëjnë prezantimin sa më interaktiv trajneret e Partners Kosova me liçencë ndërkombëtare, Selvije Rashani dhe Hilmije Ramabaja, e organizuan prezantimin në formë diskutimi duke ju parashtruar pjesëmarrëseve pyetje rreth pronës dhe trashëgimisë dhe duke prezantuar fakte nga hulumtime të ndryshme. Pjesëmarrëset shfaqën interesim të veçantë për çështjet lidhur me pronën në martesë dhe në bashkësitë jashtëmartesore. Ato dhanë shembuj prej eksperiencës së tyre personale lidhur me ndarjen e pasurisë ndërmjet bashkëshortëve dhe fëmijëve të tyre. Se si pothuajse në të gjitha rastet, burri ose djemtë e familjes e fitojnë pronën ose trashëgiminë.
   Si pengesë më e madhe u përmend, mentaliteti shoqëror i cili mbizotëron edhe pse ligjet për trashëgimi dhe pronë në Kosovë ekzistojnë.
“Kisha dhënë sugjerim që fëmijët në shkolla në kuadër të edukatës qytetare të marrin këto informata që kanë të drejta të barabarta në pronë dhe trashëgimi pa dallim të gjinisë. Në këtë mënyrë do të bëhet vetëdijësim më i mirë prej moshës më të re, që të krijojmë një kulturë për të drejta të barabarta,”  tha Fatime Limaj, pjesëmarrëse në këtë takim.
    Trajneret biseduan me pjesëmarrëset edhe për avokimin dhe për ligjet ekzistuese në Kosovë. Ato diskutuan për të pasur një takim me zyrtarët e institucioneve relevante siç janë: përfaqësuesit e gjykatave, kadastrave, noterive, si edhe me ndërmjetësues. Në takimet që do ta organizojë Partners Kosova, gratë pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të avokojnë drejtpërdrejt tek këta zyrtarë.
    Para këtij organizimi, ato do të takohen edhe një herë të pregatisin pyetjet dhe çështjet pronësore dhe ato të trashëgimisë për të cilat do të avokojnë.
Ky projekt është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.