Grupi i dytë i vullnetarëve të Korpusi të Paqes mësojnë për të drejtat e grave në Kosovë

Me 15 korrik, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK iu drejtua 37 vullnetarëve të Korpusit të Paqes mbi temën se si ka filluar lëvizja e grave në Kosovë gjatë viteve ’90, të arriturat e kësaj lëvizjeje deri më sot dhe sfidatme të cilat përballet ajo. Vullnetarët janë grupi i dytë i tillë që do të kryejnë punë vullnetare në Kosovë. Ata janë duke iu nënshtruar një trajnimi gjuhësor dhe teknik tre-mujor, të plotë dhe ndër-kulturor për të dhënë mësim në gjuhën angleze në shkollat fillore.
Programi i Korpusit të Paqes në Kosovë filloi me 9 shtator 2013 me një ceremoni zyrtare nënshkrimi, në zyren e Presidentes së Kosovës në Prishtinë. Ftesa për fillimin e këtij programi u bë nga Presidente e Kosovës zonja Atifete Jahjaga, që nënshkroi marrëveshjen së bashku me Helen Loëman, ish-Drejtoreshë Rajonale e Korpusit të Paqes dhe Drejtoreshë aktuale për Rekrutimin dhe Përzgjedhjen e Vullnetarëve. 
    “Me përkrahjen e madhe të USAID-it dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Korpusi i Paqes pret me padurim që të krijojë një program aktiv dhe të qëndrueshëm në Kosovë,” tha Lowman pas ceremonisë së nënshkrimit.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova u bë shteti i 140-të i shërbimit të Korpusit të Paqes që nga themelimi i tij në vitin 1961. Gjithashtu është hyrja e parë e organizatës në një vend të ri që nga hapja e programit në Kamboxhia në vitin 2007. Stafi i Korpusit të Paqes vizitoi Kosovën pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe ka punuar së bashku me qeverinë e Kosovës për të identifikuar komunitetet lokale që do të shërbehen më mirë nga vullnetarët e agjencisë.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes poashtu inkurajohenm që të marrin pjesë në projekte shkollore dhe të komunitetit. Kjo ofron mundësi për të ndarë përvojat, për të shkëmbyer aftësitë dhe njohuritë dhe për të krijuar mirëkuptim të mirëfilltë ndërmjet vullnetarëve dhe komuniteteve nikoqire. Qasja e Korpusit të Paqes është ndërtuar mbi rëndësinë e këmbimit të ideve në nivel bazë, njerëzit-për-njerëzit.
Që nga themelimi i tij nga ana e presidentit amerikan John F. Kennedy në vitin 1961, më shumë se 210.000 amerikanë kanë dalë vullnetarë në të gjithë globin. Misioni i Korpusit të Paqes është për të promovuar paqen dhe miqësinë botërore duke përmbushur tri qëllime kryesore: të ndihmojë njerëzit e vendeve të interesuara në përmbushjen e nevojave të tyre për burra dhe gra të trajnuar; të ndihmojë në promovimin e një kuptimi më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve të shërbyer; dhe të ndihmojë promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve të tjerë nga ana e amerikanëve.
Aktualisht, vullnetarët janë duke punuar në komunitetet lokale në fushat e fokusit të bujqësisë, zhvillimit ekonomik të komunitetit, arsimit, mjedisit, shëndetit dhe zhvillimin e të rinjve.