Turizmi është pjesë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Novobrdës. Banorët e këtij vendi kanë filluar të merren jashtëzakonisht shumë me promovimin e turizmit që nga viti 2007, mirëpo gratë dhe vajzat ende vazhdojnë të mos jenë të përfshira plotësisht në këtë proces. Qendra për Zhvillim Rural (QZHR) ka marrë iniciativën ti kyq dhjetë gra të komunitetit Serb dhe dhjetë gra Shqiptare në promovimin e turizmit të Novobrdës. Ato së pari kanë organizuar tri trajnime për avancimin e shkathtësive në udhëheqjen e ekonomive familjare, procedurat për regjistrimin e biznesit, dhe dhënien e shërbimeve kualitative për gratë pjesëmarrëse.
Me 4 shtator 2015, QZHR organizoi një panair të vogël në qendrën informative të Novobërdës me produktet të cilat i kishin përgatitur vetë gratë.
“Turizmi në Novobrdë duhet të shkojë sa më shpejt përpara për shkak se gratë tona dijnë të gatuajnë ushqime shumë të shijshme tradicionale dhe të mirëpresin vizitorë. tha Shefkije Mehmeti, Drejtore e QZHR. “Ne, dy komunitetet, punojmë bashkë dhe projektet që i marrim i zbatojmë bashkërisht, si në komunë, si në teren dhe ne do ta zhvillojmë edhe turizmin së bashku”.
Gjatë këtij panairi, pjesëmarrëset shfrytëzuan mundësinë për të biseduar për planet e tyre të mëtutjeshme. Me zhvendosjen e kioskut afër ndërtesës të Komunës të Novobrdës, ato do të kenë mundësinë ti plasojnë produktet e tyre për shitje. Komuna do t’iu ndihmojë për ti hapur kioskat duke i mbuluar të gjitha shpenzimet për dy muajt e para të hapjes. Pjesëmarrëset gjithashtu u interesuan për procedurat dhe kriteret e aplikimit si punëtore në kiosk.
Një mundësi tjetër e plasimit të produkteve të tyre është marrëveshja me restorantet në Novobrdë. QZHR vetëm se ka bërë një marrëveshje të suksesshme me restorantin “Gërsheta” në fshatin Draganc.
Si aktivitet të rradhës grupi do ta ketë avokimin në nivel regjional tek Agjencioni Regjional për Zhvillim Ekonomik dhe në nivelin kombëtar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për përfshirjen e trevës së Novobërdës në guidat turistike të atraksioneve të Kosovës.
Kjo iniciativë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe u financua nga Austrian Development Agency (ADA) me shumën prej 2,740 €.