Për vitin e 11 me rradhë Qendra e Gruas “Dera e Hapur” organizoi panairin e Artizanateve dhe Trashëgimisë. Panairi është hapur në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me 6 tetor dhe do të vazhdojë deri me 8 tetor. Ky panair ka për qëllim promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore por njëkohësisht edhe fuqizimin ekonomik të grave.
“Në këtë panair janë 120 pjesëmarrës dhe shumica prej tyre janë gra artizane,” u shpreh Belgjyzare Muharremi, organizatore e këtij panairi. “Kjo është një mundësi jashtëzakonisht e mirë për to, pasi që në këtë formë ato kanë mundësi të fuqizohen ekonomikisht dhe të promovojnë punën e tyre.”
Për tri ditë me rradhë ky panair do të ju ofrojë vizitorëve punime artizanale të artit aplikativ të punuara në mënyra shumë të veçanta në tekstil, dru, gurë, metale, poashtu kostume tradicionale, punime në vekë nga rajone të ndryshme të vendit, enë dheu si dhe ushqime të ndryshme tradicionale që tashmë janë pjesë e kulturës tradicionale të Kosovës dhe rajonit.