Me 8 tetor, Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) lancoi publikimin e raportit të parë monitorues në zbatimin e Planit të Veprimit të Rezolutës 1325. Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Kosovës shumica prej të cilëve ishin edhe pjesë e grupit teknik mbi hartimin e Planit të Veprimit. Ky raport është hartuar nga znj. Linda Eriksson, konsulente e angazhuar nga UN Women në bashkëpunim me ABGJ.
Gjatë lancimit u përmendën disa prej gjetjeve kryesore të këtij raporti, si dhe metodologjia e mbledhjes së të dhënave dhe limitimet e publikimit. Duhet mbajtur mend që periudha e raportimit përfshinë vetëm vitin 2014, ndërsa rezultatet e arritura gjatë vitit 2015 do të përfshihen në raportin e dytë monitorues, që do të publikohet gjatë vitit 2016. Plani i veprimit parasheh tri shtylla kryesore për të cilën duhet të arrihen objektivat e caktuara:
- Pjesëmarrja e rritur e grave në vendim-marrje dhe në proceset e ndërtimit dhe ruajtjes së paqes;
- Integrimi i perspektivës gjinore, dhe ngritja e pjesëmarrjes së grave në strukturat e sigurisë;
- Viktimat e dhunës seksuale, torturës dhe formave të tjera të dhunës së lidhur me konflikt/luftë kanë qasje në menakizma funksional për mbrojtje, qasje në drejtësi, rehabilitim dhe reintegrimin.