RrGGK dënon faktin që gratë deputete tolerojnë fjalorin diskriminues në Kuvendin e Kosovës

Mbrëmë, në emisionin InfoMagazine në KLAN Kosova, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri tha që fjalët e përdorura nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në seancën parlamentare të së premtës mbrëma mund të falen pasi që “ai është burrë”.
   Si një grua deputete, zn. Gaxherri, duhet t’i vijë turp që toleron, në vend se të dënojë fjalorin diskriminues të përdorur ndaj grave në parlament.
Së pari, z. Veseli ka shkelurRregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilën ai e ka për detyrë ta zbatojë në pajtim me Nenin 41. Në vend që të sigurohet për mbajtjen e rendit, ai bëri “sjellje të pahijshme dhe të patolerueshme”, përdori “gjuhë jo-parlamentare” dhe më saktësisht përdori “gjuhë ofenduese” ndaj grave. Më tutje, ai ka shkelur Ligjin kundër Diskriminimit (2015) dhe më specifikisht Ligjin për Barazi Gjinore(2015) duke shkaktuar “diskriminim” gjinor:  “kur një individ trajtohet në mënyrë më pak të favorshme për shkak të gjinisë.”
    Duke arsyetuar veprimet e tij “sepse ai është burrë”, zn. Gaxherri ka pranuar përfshirjen e z. Veseli në diskriminim të drejtëpërdrejtë gjinor, duke shkelur kështu ligjet e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Së dyti, tolerimi i sjelljes diskriminuese të burrave, bën që sjellja e tillë të vazhdojë duke e konsideruar atë si të pranueshme. Si një grua deputete, zn. Gaxherri ka një përgjegjësi edhe më të madhe që të dënojë diskriminimin gjinor kurdo që shfaqet.  Me tolerimin e deklaratës së tij, ajo po nënvlerëson edhe aftësitë e veta dhe të grave të tjera për të udhëhequr, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për përhapjen e diskriminimit gjinor që nënvlerëson pozitën e grave si udhëheqëse politike.
Në bëjmë thirrje për të gjithë deputetët që të përcjellin Rregulloren e Kuvendit dhe të zbatojnë ligjet e Kosovës, duke mos përdorur fjalor diskriminues apo duke mos përkrahur personat që e bëjnë një gjë të tillë. 
   Më tutje, ne inkurajojmë fuqishëm Grupin e Grave Deputete që të dalin me një reagim publik kundër diskriminimit gjinor dhe çfarëdo lloji të justifikimit të diskriminimeve të tilla gjinore që shkelin ligjet e Kosovës. Nëse Grupi i Grave Deputete nuk reagon, atëherë me mosreagimin e tyre ato tolerojnë diskriminimin gjinor, që nënvlerëson pozitën e tyre si gra udhëheqëse, si dhe mundësitë që gratë të udhëheqin në të ardhmen.