Me 19 maj, në Fshatin Rrenc në Komunën e Dragashit, organizata anëtare e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Shoqata Iniciativa e Grave organizoi tryezën informuese lidhur me fuqizimin e grave në politikë dhe vendim-marrje.
Qëllimi i këtij projekti është ngritja e kapaciteteve gjinore me qëllim të inkurajimit të grave për pjesëmërrje më aktive në jetën shoqërore dhe politike, përkrahja dhe mbështetja e grave në parti politike, angazhimi i tyre dhe fuqizimi brenda partisë, përkrahja e njëra-tjetrës në avancim të brendshëm, aftësimi profesional dhe delegimi i tyre në poste të caktuara vendim-marrëse.
Për të hartuar këtë projekt, Shoqata Iniciativa e Grave u bazua në zhvillimin e ulët ekonomik si njëri prej faktorëve që ndikon direkt në perspektivën gjinore dhe si pasojë pjesëmarrja aktive e grave në shoqëri civile dhe politikë është e ulët. Gjithashtu, Shoqata ishte bazuar edhe në mentalitetin më konservativ të komunës së Dragashit me ç’rast sipas tyre lindin edhe shumë vështirësi tjera për pozitën e gruas, e të cilat me gjasë komunat tjera i kanë tejkaluar më parë.
Zyrtarja komunale për barazi gjinore, znj. Lendita Kosmaçi Pira foli për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave në politikë, duke theksuar që kuota e përfaqësimit të grave në asamblenë komunale vetëm me 30% është e ulët. Ajo gjithashtu shprehi paknaqësinë që nuk ka përfaqësim të grave në pozita vendim-marrëse në Komunën e Dragashit, duke pas parasysh që janë mbi dhjetë pozita udhëheqëse nëpër drejtori të ndryshme në këtë komunë.
Ndërkaq, Shoqata Iniciativa e Grave beson që rezultatet e këtij projekti do të kenë ndikim pozitiv në vetëdijesimin e grave për të drejtat e tyre ligjore lidhur me dhunën në baza gjinore, vetëdijesim për të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi si dhe në angazhimin e tyre për herë të parë në partitë politike. Znj. Xhejrane Lokaj, drejtore e Shoqatës, gjithashtu njoftoi për 15 pozitat e hapura në punëtorinë e rrobaqepësisë në Shalme, duke inkurajuar gratë që paraprakisht të regjistrohen në zyrën për punësim. Ky rezultat ka ardhur si rrjedhojë e avokimit të suksesshëm për fuqizimin ekonomik të grave në këtë rajon.
Mbi 150 gra përfituese direkte, shprehën kënaqësi që ishin pjesë e këtij projekti. Ato theksuan se për herë të parë po mbanin trajnime të tilla, të cilat po ndikojnë që ato të diskutojnë lirshëm me familjen dhe rrethin për të drejtën e grave dhe vajzave në pronë dhe trashëgimi, për pasojat e dhunës në baza gjinore dhe se si ato do të jenë më të zëshme në kërkesat e tyre për pozita vendim–marrëse për gratë. Gjithashtu në mënyrë indirekte nga ky projekt përfituan rreth 20000 qytetarë, përkatësisht banorë të Komunës së Dragashit.
Kjo tryezë u organizua si aktivitet në kuadër të projektit “Koha për frymë të re politike’’, i mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.