Lobi për Barazi Gjinore dhe NDI listojnë prioritetet e grave votuese për zgjedhjet lokale 2017

 Me 20 maj, në Mamushë, u mbajt mbledhja e radhës e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) ku morrën pjesë 66 anëtare të Lobit, përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave ndërkombëtare dhe anëtare të stafit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).
Seylan Mazrek, anëtare e Lobit në Komunën e Mamushës, dhe zn. Ganimete Sadiku, nënkryetare e KK Mamushë, në prezantimin e tyre folën për të arriturat e Komunës së Mamushës, si dhe për problemet me të cilat përballet kjo komunë, si papunësia e madhe dhe martesat e hershme.
     Në ndërkohë, në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Mamushës, z. Arif Bütüç shtoi se: “Ne jetojmë dhe kontribuojmë për shtetin e Kosovës dhe unë ndihem krenar që jam nga Kosova, prandaj edhe falënderojë Qeverinë e Kosovës për përkrahjen e deritanishme.” Më tutje ai ftoi të pranishmit që të marrin pjesë në një ngjarje karakteristike të kësaj komune: Festivalin e Domateve, që do të mbahet me 23 korrik.
Pas nikoqirëve të mbledhjes, fjalën e mori zn. Igablle Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, duke shpjeguar se Lobi ka filluar traditën e mbajtjes së mbledhjeve nëpër komuna të tjera, e jo vetëm në Prishtinë.
     Më tutje ajo shpjegoi se kjo mbledhje dallon nga të tjerat, pasi që “në vend se të flitet për të arriturat e secilës komunë në avokim, kësaj radhe do t’i ofrojmë hapësirë organizatës ndërkombëtare National Democratic Institute (NDI), punën e së cilës e çmojmë, pasi që NDI nuk bën vetëm trajnime, që zgjasin disa ditë por ka vazhdimësi të punës për fuqizimin e grave në politikë”.
     Artistja e njohur dhe aktivistja zn. Safete Rogova, nderoi të pranishmet me recitimin e poezisë “Një poezi për gruan.
     Më tutje, zn. Igballe Rogova, foli edhe për Forumin Ekonomik të Grave, në cilësinë e anëtares së këtij Forumi, duke theksuar se: “Forumi është kriju si mekanizëm jofromal në mënyrë që të koordinohen të gjitha organizatat ndërkombetare e vendore që të fuqizojnë sa ma shumë gruan në ekonomi, me ç’rast si Forum do të shtyjmë përpara politikat në këtë fushë.”
     Ajo më tutje shtoi së në kuadër të Forumit “fillimisht është ngritë çështja e mungesës së çerdheve, që shihet si faktor që ndikon në pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës. Raporti i fundit i RrGGK: “Kush kujdeset? Kërkesat, ofertat dhe opsionet për rritjen e mundësive të kujdesit të fëmijëve në Kosovë”, jep një shembull, sepse kjo po ndikon te gratë e punësuara dhe ato në politikë. Më pas, është ngritur edhe çështja e pronës, ku siç e dini shumë organizata tashmë po punojnë në çështjet e pronës, përfshirë edhe Rrjetin, i cili sapo ka përfunduar projektin “Shtëpia ime, e drejta ime” me mbështetjen e PPSE Swiss Contact. Poashtu, si Forum, ne duhet të ndikojmë tek shkollat profesionale sepse ato po ofrojnë kurse që janë më të përshtatshme për burra, që ata po i shohin si “të burrave”, prandaj duhet të ndryshojë kurrikula që për gratë të mos ofrohen vetëm kurse për frizere e rrobaqepësi, por ato të inkurajohen edhe për kurse të tjera, si dhe që gratë të regjistrohen më shumë në Qendrat Rajonale të Punësimit.”
     Ndërkaq, anëtaret e Lobit ndanë me të pranishmet disa iniciativa të suksesshme falë avokimit të tyre. Duke u ndërlidhur me suksesin e këtyre iniciativave, zn. Rogova iu rikujtoi të pranishmeve se “Qëllimi i Lobit nuk është të organizojmë trajnime, por të avokojmë së bashku për çështje të ndryshme me rëndësi. Ne në Lobi po mundohemi t’i shtyejmë përpara tri shtylla: rrjetëzimi, solidarizimi dhe ndarja e përvojave.”
     Në pjesën e dytë të mbledhjes, zn. Pranvera Lipovica, Menaxhere e Programit për Zhvillim të Partive Politike në NDI, shpjegoi punën e NDI në fuqizimin e grave në politikë. Ajo foli për Akademinë e Grave për Lidership që është vazhdimësi e aktivitetit “Java e Gruas (Week of Women)” dhe që ka për qëllim të avancojë më tutje shkathtësitë e grave pjesëmarrëse, poashtu edhe t’i bashkojë gratë që të krijojnë rrjete të tjera të bashkëpunimit, pasi ato vijnë nga parti e qytete të ndryshme, si dhe kanë mosha e profesione të ndryshme.
     Gratë pjesëmarrëse të Akademisë të ndara në katër grupe tematike: 1. Ekonomi, 2. Shëndetësi, 3. Arsim dhe 4. Roli i grave në pozita vendimmarrëse, morrën edhe dhjetëra rekomandime nga anëtaret e Lobit që do t’i përfshijnë në platformën e propozimeve konkrete për lidershipin e partive politike. Të pranishmeve iu dha mundësia që rekomandimet apo komentet shtesë mbi këto tema, të vazhdojnë t’i dërgojnë me e-mail tek Bardha Uka në: buka@ndi.org, deri me 29 maj 2017.
   Kjo mbledhje është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.