Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë “Alter Habitus,” anëtare e RrGGK-së, organizoi një protestë “Kundër Qëndrimit dhe Gjuhës Seksiste të Deputetëve” më 28 Mars, përpara ndërtesës së parlamentit.
Më 14 mars, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të parë amandamentin e propozuar që gratë të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale të përfshihen në ligjin për personat e prekur nga lufta (shih më lartë).
Megjithatë, aktivistet e të drejtave të grave ishin të brengosura nga dëshmitë e disa deputetëve më 14 mars. Gjuha e tyre seksite fyen dinjitetin e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe ri-viktimizon ato. Në përgjigje të tyre, Alter Habitus i mbështetur nga RrGGK dhe grupi i aktoreve “Have It” organizuan një protestë përpara parlamentit.
“Ne besojmë që fjalimet e disa parlamentarëve ishin ofenduese dhe përulëse për të gjitha gratë.” tha Hana Qena nga “Have It.” “Ne kemi dalë në rrugë për t’iu treguar atyre që nuk është turp të jesh e dhunuar.”
“Have it” performoi një skicë kundër propozimit që një komitet të ekzaminojë gratë për të “verifikuar” që ato kanë përjetuar dhunë seksuale. Aktoret shtypën molla në dërrasa për prerje, duke simbolizuar dëmet që ekzaminimet do t’i shkaktonin shëndetit të grave.
Më pas, pjesëmarrësit gjuajtën drejt parlamentit letra me citimet seksiste të parlamentarëve.
“Gjuha seksiste e përdorur në parlament është e turpshme.” tha Avni Bytyqi. “Gratë e dhunuara në Kosovë nuk janë turpi ynë, por janë krenaria jonë. Ato kanë nevojë për përkrahje institucionale dhe ligjore, të cilën këta deputetë që ne i kemi zgjedhur fatkeqësisht ende nuk kanë dëshirë të iu ofrojnë, për arsye të panjohura për ne si qytetarë.”
Duke pasur parasysh sulmin fizik ndaj aktivistes Nazlie Bala një natë para protestës, pjesëmarrësit poashtu mbanin letra ku shkruhej: “Ne të gjithë jemi Nazlie Bala!”
Ky ishte “një sulm kundër përpjekjeve tona për të kaluar këtë ligj.” tha Eli Krasniqi, njëra ndër organizatoret nga Alter Habitus. “Sulmet dhe
kërcënimet nuk do të na ndalin neve.”