Në kuadër të fushatës “Dëgjo zërin tim”, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e mbështetur nga Ministria e Integrimeve Evropiane në Prishtinë, shfaqi më 28 Qershor në kinemanë ABC dokumentarin me të njëjtin titull, i cili u kushtohet grave që kanë mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Filmi është realizuar nga kompania ASHA.
Në dokumentar shfaqen rrëfimet rrëqethëse dhe të vërteta të njërës nga të mbijetuarat. Filmi poashtu përfshin personalitete të njohura që shprehin opinionet e tyre, si: Tony Blair, Adem Demaçi, Myftiu Naim Tërnava, Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku, Prof. Ismet Salihu nga Instituti për Krime Lufte, Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK Igballe Rogova dhe Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT Feride Rushiti – të gjithë njohës të mirë të rrethanave dhe pasojave të këtyre krimeve të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.