Reagimi ynë si shoqëri ndaj një rasti të tillë vjen vonë. Vjen vonë sepse tashmë në mesin tonë, e kemi një vajzë 16 vjeçare, që sot po ballafaqohet me tmerrin më të madh, atë të përdhunimit, të kanosjes, të kërcënimit. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka vite që angazhohet të bëhet zëri i këtyre vajzave dhe grave, që po përjetojnë tmerre nga më të ndryshmet, sepse shoqëria jonë vazhdon t’i injorojë. Ende gratë dhe vajzat fajësohen për krimet që ushtrohen ndaj tyre.
RrGK, dje nga gazeta online “Insajderi” u njoftua për tragjedinë e rradhës. Aty thuhej se një polic nga komuna e Drenasit, është arrestuar si i dyshuari kryesor për kanosjen, përdhunimin, kërcënimin, rrezikimin e shëndetit, abortim të pa ligjshëm dhe një mori veprash tjera, të kryera ndaj një vajze 16 vjeçare. Me gjithë guximin e vajzës që besoi në institucionet e mbrojtjes, duke shpresuar që do t’i dilnin në ndihmë kur ajo ishte drejtuar në stacionin policor në Drenas për ta raportuar ngacmimin seksual nga një profesor, ndërkohë ajo u ballafaqua me një realitet tërësisht të kundërt. Një zyrtar policor nga ky stacion, sipas deklaratave të vajzës, kishte filluar ta kanosë, ta kërcënojë dhe të kërkojë prej saj favore seksuale, në këmbim të ruajtes së raportimit që vajza e kishte bërë kundër profesorit të saj. Polici përmes kanosjes dhe kërcënimeve kishte arritur ta detyrojë vajzën të ketë marrëdhënie seksuale me të, marrëdhenie kjo që çoi deri tek shtatzënia e të miturës. E njejta, në mënyrë të paligjshme, ishte detyruar ta abortoj foshnjën, abort i cili u krye në një klinikë dhe nga një gjinekolog që nuk i lejohet të kryej ndërprejen e shtatzënisë. Sipas Ligjit për Ndërprejen e Shtatzënisë, vetëm me pëlqimin e prindit, apo të kujdesatarit, një vajzë e moshës 16 vjeçare, ka të drejtë të kërkojë ndërprejen e shtatzënisë. Tutje, pas javës së 10, çdo tentativë për ndërprerje të shtatzënisë është e paligjshme. RrGK nuk ka informata se në cilën javë të shtatzënisë ka qenë viktima në fjalë.
Kodi Penal i Kosovës thotë se për dhunim në rrethana që përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit, dhe të moshës, dënimi për këtë vepër është 5 deri në 15 vjet burgim. Deri në 5 vite burgim është dënimi për kanosje. Keqpërdorimi i pozitës zyrtare, sipas kodit penal, ndikon në ashpërsim të dënimeve. Ndërpreja e pajeluar e shtatëzënisë denohet deri në 8 vite burgim, në rastet kur viktimë janë të miturit, dënimet përsëri ashpërsohen. Ngacimi seksual sipas kodit penal dënohet me deri në 3 vite burgim. Këto janë vetëm disa prej veprave penale, të cilat RrGK i ka identifikuar në këtë rast. Për të dyshuarin, do të duhej të shqiptoheshin mbi 30 vite burgim.
Fatkeqësisht, në Kosovë, dënimet për ushtruesit e dhunës ndaj grave, vrasësit e grave, po dëshmohet të mos jenë në proporcion me krimin e shkaktuar. Poashtu duhet theksuar se në këtë rast, kemi fajtorë edhe gjinekologun që kreu në mënyrë të paligjshme ndërprerjen e shtatzënisë, i cili, poashtu sipas Insajder-it, është duke u mbajtur në paraburgim, si dhe profesorin, nga i cili fillimisht nisi ky tmerr rrugëtimin.
Në ditët kur e tërë vëmendja e udhëheqësisë sonë politike është drejt bashkimit me Evropën, ne, gratë dhe vajzat e Kosovës, ju rikujtojmë që si shoqëri ne kemi dështuar. Ne kemi dështuar në sistemin e mbrojtjes, sigurisë dhe drejtësisë. Ne shpresojmë që kjo të jetë tragjedia e fundit e këtij lloji, dhe se kryesit e këtyre veprave të marrin dënimet meritore. Raporti i Kosovës 2018 i bërë nga Bashkimi Evropian, ka qenë shumë kritik për sa i përket sistemit të drejtësisë dhe trajtimit të dhunës ndaj grave. Është koha e fundit që ne si shoqëri të vetëdijësohemi dhe t’i dënojmë ushtruesit e dhunës.
Rrjeti i Grave të Kosovës falenderon mediat vendore, elektronike, të shkruara apo online për kontributin që po bëjnë në luftim të dhunës ndaj grave, duke u bërë zëri i grave dhe vajzave. Vetëm në këtë formë, organizatat joqeveritare, mediat dhe e tërë shoqëria mund t’i dënojmë, e më shpresë se dikur edhe t’i parandalojmë të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Ndërsa, nga sistemi i drejtësisë kërkojmë të angazhohen maksimalisht dhe të dyshuarit për krime ndaj grave dhe vajzave, të marrin dënimet meritore. Vetëm në këtë formë, ne e dëshmojmë që jemi një vend demokratik, i denjë për familjen e madhe evropiane. Dhe vetëm në këtë formë, ushtruesit e dhunës do ta kuptojnë që mbi ta qëndron ligji, dhe asgjë tjetër.