Me datë 5 shkurt organizata Women’s Alliance for Integration (WAI), mbajti takim me gratë e fshatit Dobravë të Komunës së Ferizajt për të diskutuar për shëndetin riprodhues. Nismë kjo e marrë në kuadër të projektit “Vetëdijësimi i grave rome, ashkalike dhe egjiptase në komunën e Ferizajit dhe Lipjanit për shëndetin e tyre”. Në këtë takim ishin prezente 27 gra dhe vajza nga komunitete të ndryshme.
Doktoresha Zekije Shala tregoi për rëndësinë e kujdesit intim dhe pasojat që mund të vinë si rezultat i mos kujdesit të duhur. Ajo ndau me të pranishmet këshilla të detajuara, duke u përgjigjur për shqetësimet që të pranishmet i kishin.
Ndër tjerash Shala informoi pjesëmarrëset edhe për sëmundjet e kancerit së qafës së mitrës dhe të gjirit. Tutje ajo ndau edhe informata lidhur me sëmundjet e transmetuteshme seksuale, dhe rëndësinë e kujdesit intim.
Të pranishmet u shprehën mirënjohëse për këtë aktivitet, duke vlerësuar se këshillat e marra nga doktoresha do t’u shërbëjnë për jetë më të shëndetshme.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).