Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 10 qershor në Prishtinë mbajti mbledhjen e dytë të rregullt të Kuvendit të Anëtareve për vitin 2019. Në këtë takim morën pjesë rreth 60 përfaqësuese nga organizatat anëtare të RrGK-së, Lobi për Barazi Gjinore (Lobi), institucionet kosovare si dhe mbështetës të punës dhe kauzës së RrGK-së.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së e hapi diskutimin duke përmendur promovimin e librit të aktivistes Sevdije Ahmeti “Ditari i një gruaje të Kosovës (Shkurt 1998 – mars 1999) – Lufta përpara luftës”, me ç’rast ka shtuar se paratë e mbledhura nga shitja e këtij libri do të dhurohen për arsimimin e vajzave në Kosovë.
Tutje, Rogova ka folur edhe për raundin e 13-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të RrGK-së i cili pritet të hapet brenda pak javësh.
“Nuk është qëllimi vetëm të japim grante, por t’i fuqizojmë anëtaret dhe t’i ngrisim kapacitetet e tyre. Është fat që e kemi nisur këtë proces me përkrahjen e Kvinna till Kvinna, e tani është rritur mundësia që të kemi më shumë grante për të ju ndihmuar anëtareve tona”, tha ajo.
Pjesë e rëndësishme e kësaj mbledhjeje ka qenë edhe diskutimi mbi ekspozitën dy ditore kundër dhunës në familje, të cilën RrGK e organizon më 14 dhe 15 qershor në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit.
Koordinatorja për Hulumtim dhe Avokim mbi Dhunën në Baza Gjinore, Adelina Berisha ka ndarë me të pranishmet qëllimin e ekspozitës.
“Ekspozitën po e bëjmë si vazhdim të aktiviteteve dhe luftimit të dhunës në familje që gratë e përjetojnë. Ju ftojmë të përkrahni hapjen e ekspozitës në Prishtinë që të tregojmë solidaritet ndërmjet grave. Ndërkaq, pas Prishtinës, ekspozita do të organizohet edhe në komuna të tjera të Kosovës”, u shpreh Berisha.
Më shumë për këtë ekspozitë lexoni KËTU.
Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit, Udhёheqёse e Hulumtimit në RrGK ka folur për avokimin që Rrjeti është duke bërë në procesin e ndryshimit të Ligjit të Punës, përkatësisht pjesës që përcakton pushimin e lehonisë.
“Ne jemi duke avokuar kundër ndryshimeve të propozuara për amandamentinin e Ligjit të Punës, sepse i inkurajon gratë që të rrinë në shtëpi, të mos punojnë. Ne duhet të kundërshtojmë këtë Ligj, ne jemi duke avokuar për barazi gjinore”, tha Farnsworth.
Kurse Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT), ka folur për Festivalin Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt që mbahet nga 10 – 16 qershor në Prishtinë.
“Në kuadër të FemArt-it kemi edhe një konferencë. Është shumë me rëndësi me vazhdu frymën e solidaritetit, edhe këtë konferencë e kemi titulluar “E Pa thyer”, ku do te jenë tre panele për ta diskutuar heshtjen gjatë këtyre viteve për këtë krim [dhunën seksuale]”, tha ajo.
Shpresa Agushi nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK) duke kujtuar rastin e sulmit ndaj gruas rome që ndodhi para disa ditësh, ka bërë thirrje për përkrahje nga të gjithë.
Biljana Nastovska, Këshilltare për çështje gjinore, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) tha se lëvizjet e grave janë thelbësore në çdo vend.
“Puna e juaj [Rrjetit të Grave të Kosovës] do të na japë “armë” neve në vendin e punës, për të luftuar për barazi sepse askush nuk del kundër një Rrjeti kaq të fortë”, tha ajo.
Anëtaret e Kuvendit të RrGK-së gjatë këtij takimi dy orësh ndanë informata rreth aktiviteteve që janë duke zhvilluar në komunat/organizatat e tyre. Po ashtu anëtaret u njoftuan edhe me aktivitetet me të cilat këtë vit do të shënohet Festivali FemArt si dhe me informata mbi konferencën ndërkombëtare “Women Deliver”, pjesë e së cilës është e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman.
Ky takim u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
LEXO EDHE: RrGK mbajti mbledhjen e parë me anëtaret për vitin 2019.