Rrjeti i Grave të Kosovës, është njoftuar përmes Koha.net për masën skandaloze, të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda kundrejt të dyshuarit për veprën penale trafikim me njerëz, e kryer në vitin 2012 në komunën e Istogut. Rasti në fjalë i raportuar ka të bëjë me një dyshim të trafikimit me qenie njerëzore, mbajtje në skllavëri dhe dhunim.
RrGK shprehë indinjim të thellë kundrejt një mase të tillë, duke e konsideruar jo adekuat vendimin e gjykatës ndaj të dyshuarit Q.A dhe bashkëautorëve të tij, për veprën e raportuar.
Sipas Nenit 183 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së te pandehurit, masat më të buta për sigurimin e pranisë së një personi të tillë dhe parandalimin e përsëritjes së veprës penale janë të pamjaftueshme.
RrGK insiton që masa që do duhej të ishte shqiptuar menjëherë ka qenë paraburgimi, duke pasur parasysh se i pandehuri Q.A ka refuzuar disa herë të marrë pjesë në shqyrtime gjyqësore me arsyetimin se gjendet në botën e jashtme. Ai është sjellë në procedure gjyqësore me anë të lëshimit të letër rreshtimit vendor nga autoritetet Kosovare.
Gjithashtu, Neni 187, Paragrafi 1.2.3. thekson se paraburgimi mund të shqiptohet edhe në rastet kur:
“Pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.”
RrGK shpreh shqetësimin se një kulturë e tillë e trajtimit jo të denjë të rasteve të dyshuara të trafikimit njerëzor është një inkurajim i mëtutjeshëm për autorët e këtyre veprave penale. Kjo sepse ata nuk po marrin ndëshkimin meritor në përputhshmëri me masat e parapara ligjore. Andaj, apelojmë që gjykata e Apelit të shpallë masën e paraburgimit, deri në shqyrtimin final dhe zbardhjen e rastit.