Banorët shqiptarë dhe serbë të fshtarave Gadish, Kishnapolë, Verbicë e Zhegovcit, Pidiq, Llashticë, Dazhnicë, Makresh dhe Parallovë, të komunës së Gjilanit, si asnjëherë më parë patën mundësinë që të kryejnë kontrolle mjekësore falas.
125 vizita mjekësore në terren u ndërmorrën nga organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Psikoterapeutët në veprim (PEA), si pjesë e nismës “Avancimi i kujdesit paliativ në Kosovë dhe sensibilizimi i komunitetit për personat me nevoja të veçanta”.
Nga vizitat e kryera kanë përfituar direkt gjithsej 158 persona, madje një pjesë e tyre zbuluan sëmundje nga të cilat nuk e kishin ditur se lëngonin. Kurse, numri i përfituesve indirekt, përmes këshillave dhe udhëzimeve, arrin në 500.
“Jam tejet i kënaqur që jemi përfitues nga ky projekt. Në fillim kam menduar se nuk kam ndonjë problem shëndetësor, andaj nuk kam qenë kurrë më parë te mjeku, mirëpo pas vizitave dhe konsultimeve nga organizata PEA, u kuptua se duhet bërë kontrolle më të gjëra në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ku më pas fillova të trajtohem”, u shpreh një burrë nga fshati Pidiq, familja e së cilit u vizitua nga doktoresha Ramize Ahmeti-Ibrahimi së bashku me ekipin mjekësor.
Përveç qytetarëve, të mirat e kësaj nisme u vlerësuan edhe nga PEA.
“Ky projekt i cili ka përfshirë vizita mjekësore nëpër shtëpi ka qenë shume i mirëseardhur për organizatën tonë. Falë analizave që i ka kërkuar doktoresha kemi pasur raste kur janë zbuluar edhe sëmundje të diabetit. Poashtu, nga kjo nismë kanë përfituar edhe shumë familje skamnore”, ka thënë Sevdije Musliu, Drejtore Ekzekutive e PEA-s.
Nga vizitat e bëra kishte raste të ndryshme, si: tension i lartë arterial, diabet, kollë apo ftohje, sterilitet, plogështi, infeksion të traktit urinar, çrregullime nervore, epilepsi, e të tjera.
Për të mbledhur përshtypjet e qytetaravë janë realizuar 60 pyetësor (anonim), kurse përmes një tryeze të rumbullakët, para institucioneve relevante PEA ka prezantuar rekomandimet e nxjerra nga vizitat.
Rekomandimet janë si vijon:
- Ofruesit e kujdesit shëndetësorë janë persona kyç për identifikimin e nevojave të individit dhe familjes,
- Puna ekipore në familje, mjek dhe infermier ngritë cilësinë e shërbimeve shëndetësore,
- Të përcillet në vazhdimësi promovimi, edukimi, trajtimi dhe këshillimi në familje,
- Të informojmë familjet përmes mediave, shkollave, xhamiave, aty ku frekuenca e njerëzve është më e madhe për qëllimin e vizitave mjekësore në familje dhe rolin e ekipit shëndetësorë,
- Të jemi aty ku individit dhe familjes i duhet trajtimi dhe përkrahja me një qëllim të vetëm “Familje, pa sëmundje”.
Rekomandimet e lartcekura janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila ka dhënë zotim se do t’i marrë parasysh në hartimin e platformës për revitalizimin e kujdesit paliativ.
Aktivitetet e ndërmarra si pjesë e kësaj nisme kanë kontribuar në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022, përkatësisht në pjesën “Të Drejtat e Grave në Kujdesin Shëndetësor”.