Rezoluta 1325 kërkon konsultime me Grupet për të Drejtat e Grave në Kosovë

I nderuar Përfaqësues special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, z. Miroslav Lajčák,

Në 20 vjetorin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) 1325  për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ne, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), si rrjet i 156 organizatave dhe grup kryesor për të drejtat e grave në Kosovë dhe rajon, po ju shkruajmë për të shprehur  shqetësimin tonë të thellë që nuk jemi ftuar të marrim pjesë në konsultimet e fundit me shoqërinë civile në Kosovë lidhur me Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne do të dëshironim t’ju kujtojmë se BE-ja, në përputhje me Rezolutën 1325 dhe Qasjen Strategjike të BE-së ndaj Grave, Paqes dhe Sigurisë,  ka përgjegjësinë të sigurojë që gratë të jenë pjesë e proceseve të paqes.

Gratë dhe prioritetet e tyre nuk kanë qenë të përfshira si duhet në negociatat ose dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që paraqet dështim në zbatimin e Rezolutës 1325. Për 20 vjet, RrGK ka përdorur Rezolutën 1325 për të avokuar për të drejtën e grave për marrë pjesë në proceset e paqes. Për më tepër, RrGK dhe anëtaret e saj kanë qenë të angazhuara në ndërtimin e paqes në rajon, duke përfshirë edhe Serbinë, për 30 vite. Anëtaret tona përfshijnë grupe të të drejtave të grave të të gjitha etnive. Ne monitorojmë situatën dhe bashkëpunojmë me gra të ndryshme për të identifikuar nevojat dhe prioritetet e tyre.

Duke pasur parasysh përvojën tonë të gjerë në këto çështje, dhe në përputhje me Rezolutën 1325, ne ju nxisim të përfshini RrGK-në në konsultimet tuaja të ardhshme me shoqërinë civile në Kosovë. Për më tepër, kërkojmë nga ju që të siguroni që pikat kryesore të ngritura nga 434 gra nga grupe të përkatësive të ndryshme etnike në Kosovë, të identifikuara në hulumtimin tonë të fundit me titull “Ku është vendi im në tryezë?”, të përfshihen në agjendë dhe të adresohen në dialogun me Serbinë:

  1. Të sigurohet pjesëmarrja kuptimplotë e grave në vendimmarrje në lidhje me negociatat dhe dialogut, si përmes pjesëmarrjes në ekipet zyrtare të negociatave ashtu edhe përmes konsultimeve publike;
  2. Të kërkohet nga Serbia të njohë publikisht dhe të kërkojë falje për krimet e kryera ndaj civilëve nga ana e shtetit; 
  3. Të sigurohet kthimi i personave të zhdukur;
  4. Të ndiqen penalisht personat që kanë kryer krime lufte, përfshirë dhunën seksuale gjatë luftës, duke siguruar kështu drejtësinë; dhe
  5. Të sigurohet kompensimi dhe dëmshpërblimi për shkatërrimin e mjeteve të jetesës së civilëve, përfshirë kthimin e pensioneve.

Ne gjithashtu i kemi ndarë këto çështje me qeverinë tonë në një letër të dërguar dje dhe në media.

RrGK do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e RKSKB 1325 nga BE, Qeveria e Kosovës dhe akterët e tjerë. Ne mbetemi në shërbimin tuaj për të siguruar emra të personave të kualifikuar për t’u përfshirë në dialog, si dhe për të mbështetur organizimin e konsultimeve publike, drejt sigurimit të një procesi demokratik, transparent dhe pjesëmarrës, thelbësor për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, Serbi dhe rajon. Faleminderit për vëmendjen tuaj dhe reagimin e menjëhershëm për të adresuar këto çështje.

Sinqerisht,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës