Gratë dhe burrat pensionistë të etnicitetit shqiptar, boshnjak dhe turq, nga Komuna e Prishtinës, përfshirë fshatrat; Barlievë, Busi, Bërnicë dhe Shkabaj, kryen testime mjekësore pa pagesë për diabet.
91 pjesëmarrës, përkatësisht 62 gra dhe 29 burra, përfituan nga ndihma e ofruar nga Shoqata e Gruas Pensioniste “Vita-Jeta”, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Dr. Valbona Bajraktari, mjeke specialiste e diabetologjisë në kuadër të nismës “Diabeti te të moshuarit” mbajti edhe takime informuese me gratë dhe burrat mbi moshën 35 vjeçare për t’i informuar mbi sëmundjen e diabetit, zhvillimin si dhe parandalimin e saj. Pjesëmarrësit u njoftuan për menaxhimin e mirë të diabetit. Poashtu gjatë kontrollave mjeksore, ka pasur raste që pjesëmarrësit janë identifikuar me këtë sëmundje, duke mos e ditur më parë.
“Sipas studimeve të fundit diabeti paraqet rrezik dhe kontribuon në ashpërsinë dhe vdekshmërinë e pacientëve me COVID-19. Prandaj, është shumë e dobishme që të bëhet parandalimi i tij dhe trajtimi i duhur i pacientëve diabetikë të prekur nga virusi COVID-19”, tha Bajraktari.
Në tre zona rurale të Prishtinës, Vita Jeta ofroi shërbime shëndetësor falas duke ju matur pjesëmarrësve glikeminë dhe kolesterolin, si dhe duke i informuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Rëndësia e ushqimit, higjienës si dhe format kronike të kësaj sëmundjeje ishin poashtu pjesë e diskutimeve të përbashkëta.
Pjesëmarrësit u shprehën falenderues që Vita Jeta u mundësoi shërbime shëndetësore falas, sidomos në kohë të pandemisë. Kjo duke qenë se ambulancat ishin të mbyllura dhe nuk kishin pasë mjek në ato zona për një periudhë të gjatë.
Vita Jeta realizoi këto aktivitete në periudhën shkurt-shtator 2020, dhe në mënyrë që të mos rrezikohen pjesëmarrësit, tubimet u organizuan sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.