Organizata Down Syndrome Kosova (DSK), dega në Ferizaj, ka filluar aktivitetet e nismës “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje politike”. Në kuadër të kësaj nisme, gjatë muajit tetor, u mbajtën takime me anëtarë të DSK-së, dhe organizatave Hendifer, Handikos, e Pema, si dhe me prindër të këtyre anëtarëve.
Në takimin e parë me anëtarë, menaxherja e DSK-së në Ferizaj, Jetbardha Selmani, tha se është e rëndësishme që problematika të tilla të diskutohen në mënyrë që institucionet ta kenë një pasqyrë të qartë të gjendjes aktuale, e kështu personat me aftësi të kufizuara të bëhen pjesë e vendimmarrjes lokale.
“Qëllimi i këtyre takimeve është që së bashku t’i vëmë në pah situatat me të cilat përballeni çdo ditë. Në takim me zyrtarë të Komunës së Ferizajt na kanë thënë se ata nuk kanë plan për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në jetën politike, kulturore, e sociale, andaj çdo koment juaji është i vlefshëm, për shkak se do të përcillet në komunë”, tha ajo.

Anëtari Ekrem Karaliti, tha se është e rëndësishme që të konsultohen për projekte të ndryshme në komunën e Ferizajt.
“Unë do të merrja pjesë në hartim të ligjeve e politikave që prekin përditshmërinë time, sepse askush më mirë se ne nuk mund t’i dijë situatat me të cilat përballemi”, tha ai.

Kurse, në takimin me prindër të anëtarëve të Handikosit, u shtruan probleme të cilat janë pengesë për avancim shoqëror e ekonomik të fëmijëve të tyre.
Ibadete Ibrahimi, tregoi për sfidat kryesore me të cilat përballet për shkollimin e të birit.
“Problemi ynë kryesor është mungesa e transportit për shkollë, por edhe për aktivitete të ndryshme në qendrat ku fëmijët janë të regjistruar. Gjithashtu duhet të punohet që mësimdhënësit, nxënësit, por edhe të gjithë të tjerët, të vetëdijesohen që t’i pranojnë në shoqëri personat me aftësi të kufizuara, e të mos i ngacmojnë“, tha ajo.

Nga tri takime të mbajtura me personat me aftësi të kufizuara, e tri me prindër të tyre, u nxorën rekomandime të shumta për komunën e Ferizajt, si: qasja në shkollim, mungesa e asistentëve dhe planeve individuale, mungesa e një qendre ditore, infrastruktura në rrugë e institucione publike, fondi për shërim jashtë vendit, pensione më të mëdha për personat me aftësi të kufizuara etj.

Aktiviteti i radhës i Down Syndrome Kosova, është që këto rekomandime t’i paraqesë në institucionet lokale në Ferizaj.
Kjo nismë e rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
