Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dëshmuan rritje të numrit të grave asamblisteve të zgjedhura në Komunën e Dragashit.
Lobi për Barazi Gjinore (Lobi) ka qenë pjesë e kahmotshme e përpjekjes së grave të kësaj komune për pjesëmarrje dhe përfaqësim të barabartë të grave në politikë dhe procese vendimmarrëse në këtë komunë.
Për të kuptuar më shumë rreth rolit të Lobit në këtë sukses, në këtë artikull bashkëbisedojmë me dy gra që kanë qenë pjesë e Lobit dhe njohin nga afër punën e bërë.
Asamblistja Arijeta Qafleshi-Skeraj, e cila ka fituar mandatin e katërt, vlerëson se gratë kanë treguar sukses me votat e siguruara në zgjedhjet lokale, mirëpo përfaqësimi i grave në komunë nuk është ende i barabartë me rezultatin e arritur në zgjedhje.
“Lobi ka luajtur rol të rëndësishëm jo veç në mbështetjen, por edhe në vetëdijesimin dhe emancipimin e gruas në politikë”, thotë ajo.
Ajo ndan edhe një mesazh fuqizues me gratë dhe vajzat të cilat duan të bëhen pjesë e politikbërjes.
“Keni vetëbesim, guxim dhe kërkoni mbështetje”, thotë ajo.
Kurse, aktivistja Xhejrane Lokaj, mami me profesion, e cila i kushtoi jetën shëndetit të grave dhe përmirësimit të pozitës së gruas në shoqërinë kosovare thotë se e ka gëzuar rritja e pjesëmarrjes së grave në asamblenë komunale.
“Mund të them se është angazhim, rezultat dhe fitore e përbashkët e shumë faktorëve, duke filluar nga rritja e numrit të vajzave të shkolluara, vetëdijesimi shoqëror si dhe vullneti për mbështetje nga familja, institucionet, organizatat e shoqërisë civile e donatorët. Në veçanti e RrGK-së që aq herë sa kishim nevojë për mbështetje nuk ngurroi dhe nuk u kursye në përkrahje të avancimit të integrimit shoqëror e politik të grave dhe vajzave të Dragashit”, vlerëson ajo.
Lokaj tutje kujton se është punuar shumë për këtë arritje.
“Këtu nuk ka rol vetëm mbështetja përmes donacioneve dhe aktiviteteve të tjera që ishin shumë domethënësi për Dragashin, por edhe lobimi i përbashkët me Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova, Zyrën për Barazi Gjinore, organizatat e shoqërisë civile si dhe Lobin për Barazi Gjinore, me të cilët së bashku ndërtuam strukturën si një mekanizëm shumë të rëndësishëm për ngritje të kapaciteteve të përbashkëta avokuese, lobuese dhe shtese të politikave dhe kërkesave gjinor në nivel lokal”, shprehet ajo tutje.
Ajo thotë se për gratë aktive të Dragashit, Lobi ofroi mundësi të shkëmbimit të përvojave, ngritje të kapaciteteve, njohje e zgjerim miqësish.
Lokaj tutje thotë se asnjëherë nuk do ta harrojë mbushjen e sallës së Kuvendit Komunal me gra dhe vajza të Dragashit, atëherë ku për herë të parë në një debat publik ku po prezantoj plani komunal buxhetor në sallë të ishin të pranishme 45 gra e vajza, e prej tyre shtatë dolën në foltore për të paraqitur kërkesat e grave.
“Sot, e them me krenari se pothuajse të gjitha ato kërkesa janë përmbushur. E në gjithë këtë rrugëtim, Lobi ka luajtur rol jetik në avancimin dhe integrimin e grave në Komunën e Dragashit, e besoj edhe në tërë Kosovë”, thotë ajo për fund.
LEXO EDHE: Lobi për Barazi Gjinore- shtysë për bashkimin e grave në Dragash