Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK) falë përkrahjes së marrë nga raundi i 16-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës ka aftësuar 29 gra dhe burra të verbër dhe me pamje të dobësuar si dhe shoqëruesit e tyre për Orientim në Hapësirë dhe Mobilitet.
Përfitues kryesorë janë të gjithë studentët e verbër dhe me pamje të dobësuar që vijojnë apo aspirojnë që në të ardhmën të jenë pjesë e Fakultetit Filozofik, Departamentit të Psikologjisë.
Gjithashtu është mundësuar që përmes trajnimeve të ndihmojnë personat e verbër që të orientohen pa ndihmën e askujt dhe të lëvizin lirshëm e të pavarur.
Përmes kësaj nisme, gratë dhe vajzat e verbëra sidomos ato me aspirata për të studiuar në departamentin e Psikologjisë, tashmë do të mund të realizojnë studimet e tyre me qasje në literaturë përmes audio incizimeve që tashmë janë realizuar falë këtij projekti.
Ndërkohë 29 persona të verbër dhe shoqëruesit e tyre janë trajnuar për orientim në hapësirë duke parandaluar lëndimet gjatë lëvizjes si një e drejtë bazike njerëzore. Për më tepër gjatë këtyre trajnimeve shumë pjesëmarrës janë socializuar, e drejtë kjo që sipas organizatës iu mohohet vazhdimisht personave të verbër.
Gjithashtu si rezultat i nismës së KGVK, gratë dhe vajzat tashmë janë më të vetëdijshme për të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor dhe për rëndësinë e qasjes në kujdesin shëndetësor.
Qëllimet e strategjisë së kësaj organizate njëkohësisht kanë qenë edhe:
- Përmirësimi i qasjes së grave dhe vajzave të verbëra në edukim;
- Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave të verbëra;
- Mbrojtja dhe parandalimi i dhunës tek gratë dhe vajzat e verbëra;
- Përmirësimi i qasjes apo lëvizjes së lirë për gratë dhe vajzat e verbëra si dhe Ngritja e kapaciteteve të KGVK-së.
KGVK ishte përfituese e raundit të 16 të granteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), duke iu ofruar mbështetje organizative nga Trusti Sigrid Rausing.