Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), In Time, përmes nismës së mbështetur nga rundi i 16-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) ka përfunduar me sukses projektin shtatë mujor duke fuqizuar gratë dhe të rinjtë në punësim dhe duke zhvilluar aftësitë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) për ta. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ka përkrahur fuqizimin e të rinjve dhe grave në proceset vendimmarrëse dhe politikë-bërjes.
Në kuadër të aktivitetit për aftësim profesional për punësim online kanë përfituar 58 persona, 53 vajza dhe gra dhe 5 burra. Nga të gjithë pjesëmarrësit 6 prej tyre janë me aftësi të kufizuara. Pjesëmarrësit nga komuna e Prizrenit, Mitrovicës, Lipjanit dhe disa komuna tjera janë aftësuar për Marketing Digjital, Data Bazë, Soft Skills dhe UpWork.
Ndërsa, sa i përket aftësim profesionalit për MS Office kanë përfituar 37 persona, tre prej me aftësi të kufizuara.
Në kuadër të aktivitetit për informim dhe motivim të grave për pjesëmarrje në politikë dhe vendimmarrje kanë përfituar 28 vajza dhe gra.
Nuk ka munguar as mbështetja organizative e që ka ndikuar drejtpërdrejtë në fuqizimin e lëvizjes feministe në Kosovë duke ngritur kapacitetet dhe duke mbështetur në draftimin e strategjisë së organizatës.
Me aktivitetet në terren, In Time ka zbatuar aktivitete lidhur me programin “Gratë në politikë dhe vendimmarrje” duke arritur objektivat e strategjisë së Rrjetit të Grave të Kosovës ku përfshihet rritja dhe përmirësimi pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje në nivel lokal dhe qendror sipas ligjit për barazi gjinore.
In Time ishte një nga përfituese e raundit të 16 të granteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), duke iu ofruar mbështetje organizative nga Trusti Sigrid Rausing.