Art Without Limit (AWL), këtë vit po organizon edicionin e 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, i cili fokusohet në tema nga jeta e personave me aftësi ndryshe, grave të këtij komuniteti, sfidat, sukseset dhe përvojat e tyre.
Festivali ka aktivitete të cilat fuqizojnë artistët dhe gratë me aftësi të ndryshme, ku pjesë përbërëse të festivalit janë punëtoritë dhe trajnimet, shfaqjet, diskutimet dhe vizitat ndërkombëtare.
Ganimete Sava, Drejtore Ekzekutive dhe themeluese e AWL-së tregon për pjesëmarrjen ndërkombëtare, filmat të cilët shfaqen dhe ndikimin që ky festival vazhdon ta ketë. Ngjarjet e ndara përmes filmit nga persona të ndryshëm janë inspirimi më i madh për komunitetin që përfaqëson AWL.
“Ekrani i filmit t’a jep nifar fuqije të brendshme që ti thu, po edhe une po du me nda storjen tem se paska shumë tjerë.”
Ajo tregon për rrugëtimin e AWL-së dhe ndikimin e festivalit në jetën e shumë personave me aftësi ndryshe, e një nga ndikimet më të shprehura është ai i grave të komunitetit.
“Empower Women është një nga kategoritë e festivalit ku çdo vit jepet një çmim për një film fitues që portretizon historinë e një gruaje dhe fuqizon të tjerët përmes tregimit të saj. Ky është një çmim i krijuar nga AWL-ja, duke u nisur nga mënyra si ka filluar punën vetë organizata, vetëm disa gra me aftësi ndryshe, nga hiq, nga zero.”
Art Without Limit International Film Festival është festivali i vetëm në rajon, që pranon dhe shfaqë rreth 50 filma nga e gjithë bota çdo edicion.
Festivali synon zhvillimin e talenteve, rritjen e ndërgjegjësimit, krijimin e mundësive, fuqizimin e komunitetit dhe inspirimin për të treguar storiet e tyre.
Këtë vit festivali ka bashkëpunime të reja ndërkombëtare me Festivalin e Filmit në Bergamo të Italisë, Vjenë, dhe atë në Rijekë, duke i dhënë mundësi filmave të ndajnë mesazhet e tyre përtej kufijve. Programi parasheh të nisë me një vizitë në Rijekë të Koracisë, për të prezantuar një pjesë të punës së filmave nga Art Without Limit Film Festival.
Tutje vazhdojnë diskutimet me jurinë përbërëse dhe më pas shfaqja e filmave nga kategoritë e ndryshme. Festivali mbahet nga një deri më tre dhjetor, duke u përmbyllur në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Festivali i AWL-së është gjithashtu vend i cili i mbledh të gjitha organizatat të cilat i përfaqësojnë personat me aftësi ndryshe, pa dallim. Çdo film i shfaqur synon të ngrisë vetëdijen dhe të frymëzojë për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë për të gjithë!
Duke u nisur nga kjo, në festival shfaqen edhe filma për fëmijë në formë animacioni. Këta filma, të cilët punohen nga artistë me aftësi ndryshe, arrijne të përçojnë mesazhe të rëndësishme, gjithmonë me idenë që ndërgjegjësimi dhe edukimi nisë qysh në moshë të hershme.
Përmes kësaj nisme, AWL kontribon në zbatimin e Strategjisë së RrGK për vitet 2022-2026 në dy fusha: Avancimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit dhe Jeta pa dhunë me bazë gjinore.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës me një grant prej 9,840.00€, financuar nga Trusti Sigrid Rausing.