Fuqizimi i Grave, Fuqizim i Shtetit të Kosovës
Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të kenë prioritet dhe të mbrojnë të drejtat e grave. E ardhmja jonë varet nga përkushtimi për barazi, drejtësi dhe respekt për të gjithë qytetarët. Ky manifest përshkruan kërkesat thelbësore që do të duhej të respektohen dhe të integrohen në politikat e partive politike. Gjithashtu, i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të adresojnë kërkesat tona në programet e tyre partiake.
1. Fushatë zgjedhore pa gjuhë të urrejtjes
Ne kërkojmë që të gjitha partitë politike në Kosovë të angazhohen për një fushatë zgjedhore pa gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë diskriminuese, veçanërisht ndaj grave, personave LGBTIQ+, komuniteteve joshumicë dhe grupeve të tjera të margjinalizuara. Zgjedhjet duhet të jenë një platformë për të promovuar gjithëpërfshirjen, barazinë dhe respektin, e jo për të thelluar ndarjet apo për të përforcuar edhe më tutje paragjykimet. Gjithashtu, çdo informacion mbi fushatën zgjedhore dhe programet politike të bëhen në të gjitha gjuhët zyrtare në Kosovë, konform standardeve të të drejtave të njeriut dhe legjislacionit në fuqi.
U bëjmë thirrje liderëve politikë që t’u japin prioritet politikave që vendosin në fokus të gjithë qytetarët pa dallim, dhe të udhëheqin me integritet, duke u siguruar që çdo zë në Kosovë të vlerësohet dhe mbrohet.
2. Votoni dhe respektoni Ligjin e Punës
Përfshirja urgjente dhe votimi për Ligjin e Punës është një e drejtë e vonuar. Ne kërkojmë që të gjitha partitë politike të zbatojnë menjëherë të drejtën e grave në punë duke siguruar paga të barabarta, pushim prindëror, kushte të sigurta pune dhe eliminimin e diskriminimit në vendin e punës. Gratë, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore, meritojnë mundësi dhe mbrojtje të barabarta urgjentisht. Ligji i punës është një nga arsyet kryesore për nivelin e ulët të punësimit të grave, pasi vetëm 2 në 10 gra kanë punuar në mënyrë të vazhdueshme prej dekadash. Kjo e pengon zhvillimin ekonomik, prandaj duhet të ndryshohet menjëherë. Direktiva e BE-së (2019) për Balancën Punë-Jetë duhet të përfshihet në këtë ligj, për të siguruar që të drejtat prindërore dhe të kujdestarëve — si leja prindërore e patransferueshme, leja e atësisë dhe opsionet fleksibile të punës — të jenë të arritshme për të gjithë. Kjo do ta përmirësonte barazinë gjinore, do të mbështeste stabilitetin ekonomik dhe do të promovonte një qasje të balancuar ndaj përgjegjësive familjare dhe profesionale.
Për të financuar këtë nismë, pushimi prindëror me pagesë duhet të mbështetet nga një fond social, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera të rajonit. Qëllimi i krijimit të këtij fondi do të ofronte mbështetje financiare për prindërit gjatë periudhës së pushimit, duke i lejuar ata të përqendrohen në kujdesin e fëmijëve të tyre pa u shqetësuar për humbjen e të ardhurave.
3. Votoni Kodin Civil që mbron të drejtat e njeriut
Ne kërkojmë urgjentisht votimin e Kodit Civil, si një hap i domosdoshëm drejt një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që garanton të drejtën për barazi dhe ndalimin e diskriminimit, Kodi Civil duhet të sigurojë një bazë ligjore të qartë për të rregulluar martesën për të gjithë, pa diskriminim. Nëpërmjet Kodit Civil, do të forcohet mbrojtja e grupeve të cenueshme, do të promovohet barazia gjinore dhe do të sigurohet qasja e barabartë në shërbime dhe mundësi për të gjithë qytetarët. Ky është një moment vendimtar për të avancuar të drejtat e njeriut dhe për të ndërtuar një sistem juridik që respekton diversitetin dhe gjithëpërfshirjen.
4. Zbatimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor sipas Ligjit për Barazi Gjinore
Zbatimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj), në bazë të Ligjit për Barazinë Gjinore, kërkon institucionalizimin e BPGj-së në sistemin financiar të Kosovës. Kjo do të fuqizojë barazinë, transparencën dhe efikasitetin e buxheteve, pasi do të bazohet në identifikimin e nevojave të ndryshme të grave dhe burrave. Duhet gjithashtu të integrohet BPGj në Ligjin për Financimin Lokal dhe në Ligjin për Prokurim.
5. Zbatimi i Ligjit kundër Dhunës me Bazë Gjinore
Është e nevojshme të shqyrtohen amendamente në Kodin Penal për të forcuar sanksionet ndaj krimeve të dhunës në familje dhe për të siguruar që ka mekanizma të qartë për ndjekjen e këtyre rasteve. Duhet të zbatohen ligjet dhe legjislacioni sekondar në lidhje me adresimin e dhunës me bazë gjinore. Zbatimi kërkon alokimin e financave të mjaftueshme për ta implementuar atë në mënyrë të duhur. Kjo përfshin financimin për trajnimet e stafit të ndihmës sociale, policisë, sistemit gjyqësor, dhe mekanizmat koordinues për t’u siguruar që ata janë të përgatitur për të trajtuar rastet e dhunës me bazë gjinore në mënyrë efektive dhe me ndjeshmëri. Investimi në këto fusha do të ndihmojë në rritjen e mbrojtjes për viktimat dhe në forcimin e përgjegjësisë për autorët e dhunës.
6. Rritja e qasjes në kopshte publike, duke përfshirë edhe zonat rurale
Ne kërkojmë hapjen e më shumë kopshteve publike, qendra ditore për të moshuarit dhe personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht në zonat rurale, për të lehtësuar hyrjen e grave në fuqinë punëtore, si dhe të përmirësohen shërbimet për këto kategori të ndjeshme të shoqërisë. Opsionet e qasshme të kujdesit për fëmijët janë thelbësore për fuqizimin e grave dhe promovimin e pavarësisë së tyre ekonomike dhe fuqizimin ekonomik të shtetit të Kosovës. Kjo mbështetje do të ndihmojë në zbutjen e barrës së kujdesit që kanë gratë për shkak të pritjeve shoqërore, dhe përmes këtyre nismave, grave do t’u mundësohet pjesëmarrja e plotë në fuqinë punëtore.
7. Siguroni qasje në shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe shëndet riprodhues
Ne kërkojmë urgjentisht që shëndeti i grave të jetë prioritet dhe të adresohet në programet e partive politike. Gratë nga zonat rurale kanë qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore. Ne kërkojmë që Ligji për Shëndetin Riprodhues të votohet, dhe të gjitha shërbimet për shëndetin riprodhues të jenë të qasshme dhe të arritshme për të gjitha gratë, pa marrë parasysh gjendjen e tyre ekonomike.
8. Fuqizoni një sistem arsimor që ndryshon normat gjinore
Ne kërkojmë që partitë politikë të fuqizojnë një sistem arsimor i cili sfidon normat gjinore tradicionale, me një kurrikulë të duhur që kontribuon drejt barazisë gjinore. Poashtu, kërkojmë që të planifikohet financim i mjaftueshëm për trajnime të obligueshme për mësimdhënësit që ata të jenë kontribuues të barazisë gjinore duke ndikuar në ndryshimin e normave gjinore tradicionale.
9. Respektimi i parimeve të Ligjit për Barazi Gjinore drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë
Partitë politike duhet të respektojnë dhe promovojnë në mënyrë aktive kërkesat e ligjeve ekzistuese për barazinë gjinore, duke siguruar përfaqësimin e barazisë gjinore 50-50 në listat zgjedhore, në ministritë, dhe në çdo nivel të qeverisë dhe administratës publike. Ne kërkojmë që gratë jo vetëm të përfshihen, por edhe të mbështeten në rolet drejtuese brenda strukturave politike dhe pas zgjedhjes së Qeverisë së ardhshme të Kosovës, duke përfshirë edhe procesin e dialogut me Serbinë në bazë të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i miratojnë këto parime dhe të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj të drejtave të grave përmes veprimeve dhe politikave të tyre.
Ne u bëjmë thirrje votuesve që t’i mbajnë përgjegjës liderët politikë dhe të mbështesin kandidatët që kanë prioritet barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Koha për ndryshim është tani – le të dëgjohen zërat tanë!
Nënshkruar nga:
Artpolis
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
Instituti Riinvest
Kosova Women 4 Women
Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR-KS)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore
Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë (CEL)
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
Rrjeti i Grave të Kosovës
Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali, Egjiptase të Kosovës
The Foundation House