Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka një mision të qartë: të mbështesë dhe fuqizojë gratë në të gjitha sferat e jetës. Bashkëpunimi me gratë në nivele të ndryshme është një proces afatgjatë, që synon krijimin e mundësive reale për pjesëmarrje aktive në politikë dhe shoqëri.
Një shembull i suksesshëm i këtij angazhimi është bashkëpunimi i Rrjetit me Arijeta Qafleshi Skerajn nga Komuna e Dragashit, e cila sot mban pozitën e Kryesueses së Asamblesë Komunale. Dikur anëtare e Lobit për Barazi Gjinore në RrGK, Skeraj ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga rrjeti në rrugëtimin e saj politik.
Në shkurt të vitit 2024, drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, vizitoi Dragashin në kohën kur znj. Skeraj veçse mbante pozitën në atë post. Gjatë vizitës, Rogova u shpreh se “Dragashi është bërë shembull i barazisë gjinore dhe mundësive të barabarta mes grave dhe burrave, e kjo na gëzon shumë.”
Nga ana tjetër, Skeraj kujtoi rolin e rëndësishëm që RrGK ka luajtur në rrugëtimin e saj, veçanërisht përmes takimeve të Lobit për Barazi Gjinore – një nismë e RrGK-së që bashkon gratë në politikë dhe aktivistet për të nxitur ndryshime të prekshme në nivel lokal. Ajo veçoi fjalët inkurajuese të znj. Rogova si shtysë për të vijuar garën e saj në politikë.
Në të njëjtën ditë, Rogova mori mirënjohje dhe falënderime edhe nga zyrtare të tjera të asaj komune, të cilat vlerësuan kontributin e saj dhe të RrGK-së në fuqizimin e grave në këtë komunë.
Përmes takimeve të shumta dhe mbështetjes së vazhdueshme, RrGK vijon të jetë një aleat i fuqishëm për gratë që dëshirojnë të bëhen pjesë e ndryshimeve në shoqëri.