Tani i dimë të drejtat tona: Gratë në Partesh e kanë në dorë shëndetin e tyre

Në komunën e vogël rurale të Parteshit, shumë gra përballen me më shumë se vetëm me punët dhe përgjegjësitë e përditshme shtëpiake. Ato shpesh hasin në pengesa të kamotshme në kujdesin shëndetësor, që lënë mirëqenien e tyre fizike dhe mendore në hije. “Më parë mendoja se te mjeku shkoje vetëm kur ishe shumë e sëmurë”, thotë Millena, nënë 48-vjeçare me tre fëmijë nga një fshat në Partesh. “Nuk e dija që kisha të drejtë të bëja pyetje apo të kujdesesha për shëndetin tim në mënyrë proaktive”.

Për shumë gra si Millena, qasja edhe në shërbimet më themelore shëndetësore është e vështirë. Transporti i kufizuar, mungesa e informacionit dhe pritjet kulturore që i vendosin nevojat e familjes mbi të vetat, shpesh bëjnë që shëndeti i tyre, veçanërisht ai riprodhues dhe mendor, të mbetet pa u vënë re. Studimi mbi Qasjen në Kujdesin Shëndetësor nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) zbuloi se 91.1% e grave të anketuara nuk kishin bërë kontroll për kancerin e gjirit në pesë vitet e fundit, ndërsa 92.4% nuk kishin kryer kurrë një kontroll për kancerin e qafës së mitrës. Këto sfida bëhen më të vështira për gratë me nivel më të ulët arsimimi dhe me ekspozim të kufizuar ndaj mesazheve të shëndetit publik.

Moravski Biser donte të adresonte këto çështje dhe të sillte ndryshime, veçanërisht për grupet e margjinalizuara, duke siguruar kushte dhe shërbime më të mira që mbështesin shëndetin fizik dhe mendor. Organizata synonte gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin e grave për të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të barabartë dhe të sfidojë dhe eliminojë diskriminimin ndaj grave brenda sistemit shëndetësor.

Përmes një sërë punëtorish, diskutimesh në komunitet dhe takimesh ballë për ballë, gratë në fshatrat e Parteshit filluan të mësonin rreth të drejtave të tyre, shërbimeve shëndetësore në dispozicion dhe mënyrës se si të orientoheshin në një sistem kujdesi shëndetësor që dikur dukej i largët dhe i paqasshëm. Në total, 25 gra morën pjesë në nëntë punëtori të ndryshme që mbulonin një gamë temash, duke përfshirë shëndetin riprodhues, mirëqenien mendore, mënyrën e parashtrimit të ankesës në rast të shkeljes së të drejtave, si dhe një pasqyrë të përgjithshme të sistemit shëndetësor të Kosovës dhe kornizave ligjore përkatëse. Sesionet krijuan një hapësirë të sigurt për biseda të sinqerta, shkëmbim përvojash dhe, për disa, kuptimin e tyre të parë të vërtetë të asaj se çfarë nënkupton vërtet kujdesi për veten.

Një nga pjesëmarrëset më të reja, Jovana, 26 vjeç, tha: “Më parë pranoja gjithçka që thoshte infermierja ose mjeku. Tani ndjej se mund të pyes dhe të kuptoj. Madje fola me vjehrrën time për të bërë kontroll të rregullt mjekësor.”

Efekti zinxhiror i seancave ishte i dukshëm pothuajse menjëherë. Pjesëmarrëset jo vetëm që filluan të përdornin shërbimet lokale shëndetësore, por edhe ndanë atë që kishin mësuar me familjen dhe fqinjët, duke ndikuar edhe tek njerëzit përtej atyre që morën pjesë në trajnimet e ndryshme. Vlerësohet se mbi 100 përfitues të tërthortë, kryesisht miq dhe të afërm, u ndikuan pozitivisht përmes këtij shkëmbimi joformal të njohurive.

Duke njohur rëndësinë e një mbështetjeje sistemike, iniciativa solli në tryezë edhe zyrtarë lokalë. U mbajtën takime me drejtoritë komunale të shëndetësisë dhe financave, ku nevojat e grave u komunikuan drejtpërdrejt. Një rezultat i rëndësishëm ishte paraqitja e një kërkese zyrtare për të punësuar një psikolog komunal që të ofrojë shërbime psikologjike – një propozim inovativ në një komunitet ku shëndeti mendor rrallë diskutohet, e lëre më trajtohet. Zyrtarët shprehën mbështetje, dhe kërkesa tani po shqyrtohet. Kjo ishte hera e parë që ata zhvilluan një bisedë kaq të detajuar me komunitetin rreth shëndetit të grave, Duke u dhënë atyre një pasqyrë më të qartë të asaj që mund të përmirësojnë.

Iniciativa nuk rriti vetëm ndërgjegjësimin, por edhe forcoi lidhjet midis grave dhe institucioneve lokale, ndërtoi besim dhe hapi derën për ndryshime në të ardhmen. Gjatë projektit nuk u parashtruan ankesa formale, jo sepse nuk kishte shkelje, por sepse gratë kurrë më parë nuk e kishin kuptuar se si të vepronin ose se kishin të drejtë të flisnin. Tani, ato e kuptojnë.

Dragana Petroviq, zëvendësdrejtoreshë e Moravski Biser, shprehet: “Gratë që morën pjesë në të gjitha ose disa nga punëtoritë fituan shumë njohuri se si ta përdorin siç duhet sistemin e kujdesit shëndetësor. Që atëherë, ato e kanë përdorur atë sa herë ka qenë e nevojshme.” Ajo vazhdon: “Ne kemi mbajtur kontakt me të gjitha gratë që morën pjesë në punëtori, duke vazhduar diskutimet mbi këto tema dhe duke ofruar mbështetje, përfshirë këshilla se kujt t’i drejtohen. Ato gjithashtu kanë mbajtur kontakt me ligjëruesen, e cila punon brenda sistemit të kujdesit shëndetësor, gjë që ka qenë veçanërisht e rëndësishme në raste kur ishte e nevojshme ndihma.”

Iniciativa e Moravski Biser, “Kujdes shëndetësor i barabartë për të gjithë”, u realizua me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës përmes Fondit të Grave të Kosovës, me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim, në shumën prej 4,971 €, nga qershori deri në nëntor 2023. Iniciativa kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “Avancimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit” duke rritur ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për të drejtat e tyre shëndetësore dhe rëndësinë e realizimit të tyre, si dhe duke motivuar institucionet lokale për të eliminuar pengesat në qasjen në kujdes shëndetësor.