Nga edukimi shëndetësor te përkrahja e qëndrueshme për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Në Kosovë, plagët e luftës mbeten të gjalla për shumë gra që i kanë mbijetuar dhunës seksuale. Për vite me radhë, këto gra kanë bartur si pasojat fizike, ashtu edhe peshën mendore të traumave të luftës. Qasja në shërbime shëndetësore shpesh ka qenë e vështirë, ndërsa shërimi emocional edhe më i vështirë pasi që stigma dhe izolimi i pengojnë shumë prej tyre të kërkojnë përkrahjen që u nevojitet.

Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas, një përkrahëse e palëkundur e të mbijetuarave, është kyçur për të sjellë ndryshim. Nisma e tyre është ndërtuar mbi nevojat e shprehura nga vetë gratë, me një mision të qartë: të ofrojë jo vetëm informata, por përkrahje praktike që u mundëson të mbijetuarave të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të rifitojnë ndjenjën e lirisë së veprimit.

Ndërtimi i besimit përmes kujdesit, dijes dhe lidhjes

Gjatë kësaj nisme, 50 anëtare të Qendrës, të gjitha të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, morën pjesë në një program që ndërthuri kujdesin mjekësor, edukimin dhe përkrahjen psikosociale. Kontrollet gjinekologjike siguruan që secila grua të merrte kujdesin bazik mjekësor, ndërsa ligjëratat informuese për kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës ofruan informata të qarta e të qasshme për kujdesin personal shëndetësor. Përveç përfitimit të dijes, pjesëmarrëset fituan besim për të marrë vendime të bazuara në informata për trupin e tyre, duke theksuar se më parë kishin shumë pak informata për këto tema. Seancat psikosociale në grup, të kombinuara me aktivitete rekreative, u ofruan mundësinë që të lidhen me gra të tjera me përvoja të ngjashme. Në një mjedis të sigurt dhe mirëkuptues, ato kishin mundësinë të shpreheshin lirshëm, të forconin mirëqenien e tyre mendore dhe të ndërtonin miqësi të reja.

Nga shërimi individual te ndryshimi sistemik

Puna e QPDG-së nuk u ndal vetëm me përkrahjen individuale. Ato e panë se ndryshimi i qëndrueshëm kërkon një sistem shëndetësor më të përgjegjshëm ndaj nevojave të grave. Ndërsa të mbijetuarat po krijonin vetëbesim dhe dije, QPDG komunikoi edhe me mjekë, zyrtarë shëndetësorë dhe me Këshillin e Pacientëve, për të siguruar që zëri i grave të arrijë te vendimmarrësit. Dhe ndryshimi nisi të ndodhë. Për herë të parë, të mbijetuarat patën përfaqësuese të besuara brenda sistemit, të cilat shqyrtonin ankesat dhe siguroheshin që ato të merren seriozisht. Qendrave shëndetësore iu kërkua që të mbajnë formularët dhe kutitë të ankesave, duke u dhënë pacienteve një mënyrë reale për të shprehur mendimin e tyre. Dhe kur Këshillit të Pacientëve iu dhurua një telefon i thjeshtë mobil, bashkë me një numër të dedikuar të ofruar nga komuna, gratë papritur kishin një linjë të drejtpërdrejtë për të ngritur shqetësimet e tyre ose për të kërkuar ndihmë. “Anëtaret tona e kanë përdorur [numrin e telefonit] për të caktuar termine, por edhe për të raportuar për cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, thotë njëra nga anëtaret e stafit të QPDG-së.

Vazhdimi i rrugëtimit: solidariteti, mirëqenia dhe fuqizimi

Që nga përfundimi i projektit, seancat në grup të QPDG-së janë shndërruar në një hapësirë të qëndrueshme dhe të sigurt ku të mbijetuarat mblidhen së bashku. Sot, QPDG mirëpret tri grupe mbështetëse me nga 10 gra secili, të cilat takohen çdo muaj në Qendër për të marrë pjesë në aktivitete rekreative si piktura, punë dore, gatime tradicionale, krijime artistike dhe lexim librash. Ky rrjet shërben si një burim i qëndrueshëm i solidaritetit, duke i ndihmuar pjesëmarrëset të përballen si me efektet e vazhdueshme të traumës, ashtu edhe me sfidat e jetës së përditshme, ndërkohë që edhe e shijojnë shoqërinë e njëra-tjetrës.

Përmes QPDG-së, gratë që kanë marr pjesë në këtë nismë patën gjithashtu mundësinë të vizitojnë zyrën e Këshillit të Pacientëve, e cila ndodhet brenda hapësirave të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Drenas. Ato u takuan me anëtarët e Këshillit, të cilët u kujdesën që gratë të kenë përparësi në caktimin e termineve për shërbime shëndetësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Dr. Sofie Dobra mbajti një ligjëratë për diabetin dhe monitorimin e glukozës në gjak, në bashkëpunim me tekniket e laboratorit Rrahime Binaku dhe Shukrije Mala. Gratë që kishin nivel të rritur të glukozës në gjak kishin mundësi të kryejnë analiza laboratorike dhe trajtim vijues në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Këto shërbime tani ofrohen çdo muaj.

Puna e QPDG-së shkoi përtej adresimit të nevojave të menjëhershme shëndetësore; kjo nismë nxiti ndryshim sistemik dhe krijoi shtigje afatgjata për qëndrueshmëri dhe përkrahje të ndërsjellë. Për të mbijetuarat e dhunës seksuale, kjo përfaqëson një hap drejt shërimit, dinjitetit dhe vetëdijesimit se ato nuk janë vetëm. “Ushqimi, gjumi dhe shëndeti janë kyçe për mirëqenie dhe një jetë normale. Këto janë të drejta themelore të njeriut, të cilat nuk duhet të mohohen”, thotë njëra nga anëtaret e stafit të QPDG-së. “Gratë – veçanërisht ato që kanë qenë të margjinalizuara, të izoluara dhe pa përkrahje – meritojnë të dinë se ku mund të gjejnë përkrahjen e duhur për t’i siguruar këto të drejta.”

Nisma e QPDG-së “Mbështetja e grave të mbijetuara të dhunës seksuale nëpërmjet edukimit shëndetësor” u realizua me përkrahje nga Rrjeti i Grave të Kosovës përmes Fondit të Grave të Kosovës, me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 9,930€, nga shkurti deri në qershor të vitit 2024. Kjo nisma kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “Përmirësimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit”, duke e rritur vetëdijen e grave pjesëmarrëse për të drejtat e tyre për kujdesin shëndetësor dhe duke i përkrahur ato në ushtrimin e këtyre të drejtave.