Kosova shënon 20 vjetorin e Agjencisë për Barazi Gjinore dhe 30 vjetorin e Deklaratës së Pekinit me një Konferencë Ndërrajonale

Me 18 dhe 19 nëntor, Kosova shënoi 20-vjetorin e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGj) dhe 30-vjetorin e Pekinit me një konferencë ndër-rajonale, që mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë nga i gjithë rajoni. Ngjarja, e organizuar nga ABGj/Zyra e Kryeministrit, vuri në qendër të diskutimit arritjet dhe sfidat e Kosovës në avancimin e barazisë gjinore gjatë dy dekadave të fundit.

Konferenca u hap nga Drejtorja Ekzekutive e ABGJ-së, Edi Gusia, dhe u përshëndet nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, zyrtarë të lartë vendës e ndërkombëtarë dhe përfaqësues të agjencive të OKB-së dhe BE-së.

Në sesionet e ditës së parë u trajtuan mekanizmat institucionalë të barazisë gjinore në frymën e Konventës për Eliminimin e të gjitha formave te Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe Platformës së Pekinit, si dhe roli i partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile në avancimin e të drejtave të grave. Diskutimet theksuan nevojën për forcimin e integrimit gjinor, qasje më të mirë në burime dhe mbështetje të qëndrueshme politike. Në këtë panel, morri pjesë Adelina Berisha, nga nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila mes tjerash theksoi se “qeveria dhe organizatat ndërkombëtare duhet të mbeshtesin punën e shoqërisë civile me projekte afatgjata, të anagzhoj ekspertet vendore të cilat e njohin fushën dhe dinamikat e shoqërisë…”.

Dita e dytë vazhdoi me panele për zbatimin e Rezolutës 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria” dhe progresin e bërë në 30 vjet të Platformës së Pekinit. Ekspertë nga institucione vendore, UN Women, organizata të shoqërisë civile dhe sektori i sigurisë ndanë perspektiva mbi mbrojtjen e të mbijetuarve, rritjen e përfaqësimit të grave, buxhetimin e ndjeshëm gjinor dhe sfidat e mbledhjes së të dhënave.

Përmes kësaj konference, Kosova rikonfirmoi përkushtimin për avancimin e barazisë gjinore, forcimin e mekanizmave institucionalë dhe bashkëpunimin rajonal, duke u pozicionuar si një aktor aktiv në promovimin e të drejtave të grave. Ngjarja u mbështet nga UN Women.