Investimi në barazinë gjinore në buxhetin e BE-së përmes financimit të hulumtimit

Më 5 maj, u mbajt Platforma Strategjike për Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor – punëtoria e tretë online mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në organizatat që financojnë hulumtimin, në kuadër të projektit INCLUDE, e organizuar nga Smart Venice. Me këtë rast, Nicole Farnsworth, zëvendësdrejtore dhe udhëheqëse e hulumtimit në Rrjetin e Grave të Kosovës, si dhe anëtare e Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetimit Gjinor (RrMBGj) dhe Rrjetit Evropian për Buxhetim Gjinor (RrEBGj), dha prezantimin mbi “Buxhetimin gjinor në kornizën shumëvjeçare financiare të BE-së”.

Punëtoria mblodhi organizata që financojnë hulumtimin, hulumtues dhe ekspertë për të diskutuar se si këto organizata mund të adoptojnë dhe promovojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, veçanërisht në kuadër të programit Horizon Europe, në mënyrë që burimet publike të mbështesin avancimin e barazisë gjinore.

Nicole ndau shqetësimet kryesore të ngritura më parë nga RrEBGj dhe RrMBGj lidhur me propozimin për buxhetin shumëvjeçar të BE-së për periudhën 2028–2034, përfshirë dobësimin e barazisë gjinore si objektiv kryesor, mungesën e fondeve të dedikuara dhe zotimet e pamjaftueshme për avancimin e barazisë gjinore në programet e BE-së, përfshirë Horizon Europe. Ajo paraqiti rekomandime konkrete të promovuara nga RrEBGj dhe RrMBGj, përfshirë rikthimin e objektivave detyruese për barazinë gjinore, integrimin e analizës së seksit dhe gjinisë në të gjitha aktivitetet hulumtuese, sigurimin e balancës gjinore në organet vendimmarrëse dhe forcimin e monitorimit përmes të dhënave të ndara sipas gjinisë.

Ajo gjithashtu inkurajoi pjesëmarrësit t’i bashkohen fushatës avokuese në vazhdim “Investoni në atë që ka rëndësi: njerëzit!”, e cila u bën thirrje institucioneve të BE-së që të vendosin barazinë gjinore, kujdesin dhe prioritetet sociale në qendër të buxhetit të ardhshëm të BE-së. Ju ftojmë të nënshkruani peticionin, i cili gjendet këtu.

Gender Action+ ka rekomanduar gjithashtu ndryshime në programin Horizon Europe, duke paraqitur qëndrimin e saj mbi programin e propozuar për 2028–2034, përfshirë përmirësime në ndjekjen e shpenzimeve buxhetore dhe në kornizën e performancës. Lexoni më shumë këtu.