Gjatë datave 4-6 dhe 12-14 qershor 2026, Rrjeti i Grave të Kosovës organizoi punëtorinë 3-ditore “Nga kujdesi për të tjerët tek kujdesi për veten: Praktika për mirëqenien e punëtoreve sociale në strehimoret e grave përmes supervizionit të qëndrueshëm dhe parandalimit të djegies emocionale”, me pjesëmarrjen e 60 punëtoreve nga strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës me bazë gjinore në Kosovë.
Punëtoria u fokusua në rëndësinë e kujdesit për veten, menaxhimin e stresit, parandalimin e djegies emocionale dhe forcimin e mbështetjes profesionale mes kolegeve. Përmes aktiviteteve praktike dhe diskutimeve të hapura, pjesëmarrëset patën mundësi të reflektojnë mbi sfidat që përjetojnë në punën e tyre të përditshme dhe mbi ndikimin që kjo punë ka në mirëqenien e tyre emocionale.
Pjesëmarrëset e vlerësuan shumë këtë punëtori, duke theksuar se natyra e punës së tyre shpesh i shtyn të përqendrohen plotësisht tek nevojat e të mbijetuarave, ndërsa lënë anash nevojat e tyre personale. Ato ndanë se rrallëherë kanë mundësi të ndalen dhe të reflektojnë mbi ngarkesën emocionale që bartin çdo ditë gjatë ofrimit të shërbimeve.
“Në punën tonë jemi vazhdimisht të fokusuara tek gratë dhe vajzat që mbështesim. Shpesh harrojmë se edhe ne kemi nevojë të kujdesemi për veten. Kjo punëtori na kujtoi se mirëqenia jonë është po aq e rëndësishme sa edhe puna që bëjmë për të tjerat”, tha njëra nga të pranishmet.
Përmes kësaj punëtorie, pjesëmarrëset fituan njohuri dhe mjete praktike për menaxhimin e stresit, ndërtimin e kufijve të shëndetshëm profesionalë dhe forcimin e mbështetjes mes kolegeve, duke kontribuar në mirëqenien e tyre dhe në ofrimin e shërbimeve më të qëndrueshme dhe cilësore për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
Ky aktivitet është pjesë e nismës “Institucionalizimi i shërbimeve cilësore të rehabilitimit dhe riintegrimit për të mbijetuarat e dhunës II” dhe mbështetet nga International Partnerships Austria.
