Për Jazmine Pitman, të drejtat e grave kanë qenë prej kohësh më shumë sesa thjesht një interes akademik. E lindur në Kaliforni dhe aktualisht studente në Universitetin e Havait në Shtetet e Bashkuara, ajo po ndjek studimet baçellor në antropologji dhe studime për gratë, gjininë dhe seksualitetin. Gjatë rrugëtimit të saj akademik, ajo ka kërkuar vazhdimisht mundësi për ta kthyer pasionin e saj në përvojë praktike, gjë që fillimisht e ka çuar drejt angazhimit vullnetar me Planned Parenthood dhe më pas në një praktikë profesionale në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), përmes programit Isla Internships.
Në Planned Parenthood, një organizatë jofitimprurëse amerikane që ofron shërbime të kujdesit shëndetësor dhe edukim në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, Jazmine u angazhua në organizimin e sesioneve informuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese në kampuset universitare. Ajo gjithashtu mori pjesë në aktivitetet e avokimit, ku u angazhua me ligjvënësit për rritjen e financimit për Planned Parenthood. Përmes kësaj pune, ajo fitoi përvojë të drejtpërdrejtë në avokim dhe komunikim me publikun, dy fusha që janë thelbësore edhe në punën e RrGK-së
Duke synuar të fitojë përvojë ndërkombëtare para diplomimit, Jazmine kërkoi një praktikë që do t’i lidhte interesat e saj në fushën e të drejtave të grave, barazisë gjinore dhe shëndetit publik. RrGK-ja i tërhoqi menjëherë vëmendjen.
“Rrjeti i Grave të Kosovës i përmbushte të gjitha kriteret e mia. Ju bëni një punë shumë të rëndësishme dhe unë doja të angazhohesha në avokimin për të drejtat e grave dhe shëndetin seksual e riprodhues”, thotë ajo
E pyetur se nga buron ky pasion, Jazmine reflekton mbi përvojat e saj gjatë viteve të rritjes: “Kur rritesh si grua, është e vështirë të mos i vëresh pabarazitë”, thotë ajo. “Duke jetuar në Shtetet e Bashkuara, e di se kam shumë privilegje dhe, kur shoh se me çfarë duhet të përballen gratë e tjera në vende të ndryshme, kjo më dhemb shumë. Prandaj dua të angazhohem më shumë në punë ndërkombëtare.”
Gjatë praktikës së saj, Jazmine ka kontribuar në punën e RrGK-së në fushën e politikave dhe hulumtimeve për tema që përfshijnë shëndetësinë, kujdesin për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Ajo veçanërisht vlerësoi mundësinë për të parë se si barazia gjinore ndërthuret me shumë fusha të ndryshme
“Çështjet gjinore janë vërtet të pranishme në çdo aspekt të jetës”, thotë ajo, duke reflektuar mbi shtrirjen e gjerë të punës së RrGK-së.
Përtej projekteve konkrete në të cilat ka kontribuar, Jazmine thotë se një nga aspektet më të vlefshme të praktikës ka qenë të kuptuarit më të mirë të mënyrës se si funksionon avokimi në praktikë: “Gjithmonë kam dashur të angazhohem më shumë në punën e avokimit dhe të kem një ide më të qartë se çfarë përfshin në të vërtetë kjo punë, përfshirë edhe aspektet organizative dhe logjistike.”
Duke punuar përkrah stafit të RrGK-së, Jazmine ka parë nga afër sa i rëndësishëm është roli i hulumtimit, koordinimit dhe angazhimit në politika që qëndrojnë në themel të përpjekjeve për avokim, si dhe punën që zhvillohet prapa skenave për të sjellë ndryshime të qëndrueshme.
Jazmine iu bashkua RrGK-së në muajin maj dhe ka kaluar dy muaj në Kosovë. Para se të vinte, ajo nuk e dinte çfarë e priste, por gjatë qëndrimit të saj u mahnit nga ngrohtësia dhe mikpritja që gjeti këtu.
“Njerëzit janë vërtet miqësorë dhe shumë prej tyre të vijnë të flasin”, thotë ajo.
Jashtë punës, Jazmine i pëlqen të lexojë, aktualisht po mëson të thurë me grep dhe i pëlqen të bëjë ecje në natyrë. Edhe pse temperaturat e larta të verës nuk i dhanë mundësinë të eksploronte shtigjet malore në Kosovë, ajo gjithsesi e eksploroi vendin, duke vizituar qytete të tjera si Prizreni dhe Peja, si dhe duke udhëtuar në vendet fqinje, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Teksa përgatitet për fazën e ardhshme të studimeve të saj, Jazmine po aplikon për programe masteri në fushën e shëndetit publik. Edhe pse ende nuk e ka vendosur saktësisht se ku do ta çojë rrugëtimi i saj profesional, ajo e di se dëshiron të vazhdojë të punojë në një organizatë jofitimprurëse që fokusohet në të drejtat e grave, veçanërisht në shëndetin seksual dhe riprodhues. Ajo shpreson të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit për këto çështje, duke besuar se qasja në informacione të sakta mund të sjellë ndryshime domethënëse.
“Besoj se kjo është arsyeja pse jam kaq e interesuar për shëndetin seksual dhe riprodhues, sepse në shumë vende kjo temë mbetet tabu dhe mungesa e informacionit të saktë mund të jetë shumë e dëmshme.”
Duke reflektuar mbi praktikën e saj, Jazmine thotë se do t’i inkurajonte edhe studentët e tjerë të shfrytëzonin mundësi të ngjashme: “Ka qenë vërtet një përvojë shumë e mirë dhe një mundësi e shkëlqyer për të mësuar.” Edhe pse së shpejti do të kthehet në Shtetet e Bashkuara, Jazmine planifikon të vazhdojë ta mbështesë punën e RrGK-së në distancë, si vullnetare
Nëse edhe ju dëshironi të kontribuoni në punën e RrGK-së, ne gjithmonë kemi nevojë dhe mirëpresim vullnetarë nga vende të ndryshme, me përvoja dhe aftësi të ndryshme. Ofrojmë mundësi për të kontribuar si vullnetar/e, si nga afër ashtu edhe në distancë. Mësoni më shumë rreth programit tonë për vullnetarë këtu.
