Më 30 korrik 2026, Përfaqësues të Kolegjiumit të Drejtorëve të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarë për barazi gjinore, përfaqësues të Qendrave për Punë Sociale (QPS) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i kanë drejtuar një letër institucioneve qendrore, duke kërkuar masa urgjente për financim të qëndrueshëm të shërbimeve sociale në Kosovë.
Kërkesa vjen pas diskutimeve të mbajtura më 23 korrik me përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, ku u theksua se financimi aktual nuk i plotëson nevojat reale të qytetarëve dhe pengon zbatimin efektiv të legjislacionit për shërbimet sociale dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Përmes letrës kërkohet rritja e financimit për shërbimet sociale me 3 milionë euro shtesë në vit përmes Grantit të Përgjithshëm, për të forcuar kapacitetet e komunave dhe QPS-ve për ofrimin e shërbimeve cilësore.
Ndër kërkesat kryesore janë:
- punësimi i pesë profesionistëve shtesë në QPS, përfshirë së paku një profesionist në secilën komunë për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore;
- rritja e financimit për paga, mallra dhe shërbime, subvencione dhe transfere;
- investime në infrastrukturë dhe pajisje për QPS-të;
- mbështetje më e madhe për shërbimet rezidenciale, strehimoret dhe qendrat për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve;
- forcimi i fondeve emergjente për viktimat e dhunës.
Përfaqësuesit kërkojnë gjithashtu që shpërndarja e fondeve ndërmjet komunave të bazohet në një formulë të drejtë dhe transparente, sipas nevojave reale të qytetarëve dhe parimeve të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
Ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Financave që gjatë vitit 2027 të iniciojë ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, me qëllim krijimin e një Granti Specifik për Shërbimet Sociale, i cili do të siguronte financim të dedikuar, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm.
Në letër theksohet se investimi në shërbimet sociale është investim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mirëqenien e qytetarëve dhe përmbushjen e obligimeve ligjore të Kosovës.
Këtu mund të klikoni për të lexuar letrën e plotë.