Mbështetja e Komunës së Prishtinës për viktimat e dhunës në familje dhe shërbimet sociale 

Në kuadër të bashkëpunimit për avancimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u takua me përfaqësuesit e Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, znj. Adelina Sahiti dhe z. Premtim Fazliu.  

Gjatë takimit u diskutua për planifikimin dhe ndarjen e buxhetit komunal në përputhje me nevojat e grave dhe grupeve të tjera në nevojë, me fokus të veçantë në financimin e shërbimeve sociale dhe mbështetjen e viktimave të dhunës në familje. Takimi shërbeu gjithashtu për identifikimin dhe dokumentimin e praktikave të mira që mund të ndahen me komunat e tjera. 

Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë disa masa konkrete për përmirësimin e mbështetjes së viktimave të dhunës në familje dhe kategorive të tjera në nevojë sociale. Ndër to, është edhe  miratimi i mbështetjes financiare deri në 500 euro në muaj për viktimat e dhunës në familje. Sipas Vendimit për përkrahje financiare të këtyre viktimave, mbështetja ndahet në tri komponentë: subvencionimi i banimit deri në 250 euro në muaj, subvencionimi i mjeteve për jetesë në shumën prej 150 eurosh në muaj dhe deri në 100 euro shtesë kur viktima ka fëmijë nën përkujdesje. Mbështetja mund të ofrohet fillimisht për gjashtë muaj dhe, bazuar në vlerësimin e institucioneve përgjegjëse, mund të vazhdohet deri në dy vjet.¹ 

Komuna ka siguruar gjithashtu 10,000 euro nga kategoria buxhetore për mallra dhe shërbime të destinuara për asistencë në raste emergjente. Nga kjo mbështetje kanë përfituar  jo vetëm viktimat e dhunës në familje, por edhe persona të tjerë në nevojë sociale, përfshirë personat e mbetur pa strehim. Fondi është ndarë në tri kategori kryesore: ushqim, produkte higjienike dhe veshmbathje. 

Komuna e Prishtinës ka shtuar gjithashtu numrin e punonjësve në QPS dhe ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe logjistikës. Krahas kësaj, Komuna mbështet organizatat joqeveritare që kanë në fokus fuqizimin dhe mbështetjen e grave, si dhe ka vazhduar ofrimin e mbështetjes psikologjike për gratë e moshuara në qendrat ditore. 

Këto masa paraqesin hapa pozitivë drejt zbatimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor dhe përmirësimit të shërbimeve sociale. Megjithatë, financimi aktual mbetet i pamjaftueshëm dhe pjesërisht i varur nga zgjidhjet e përkohshme. Ashtu si komunat tjera, edhe Komuna e Prishtinës ka kërkuar për pesë vite radhazi krijimin e një Granti Specifik për Shërbimet Sociale, të ngjashëm me grantet ekzistuese për arsimin dhe shëndetësinë. Kostimi i shërbimeve sociale përbën një hap të rëndësishëm drejt përcaktimit të nevojave reale financiare dhe krijimit të këtij granti. Një mekanizëm i tillë do të siguronte financim më të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe më të drejtë për shërbimet sociale në të gjitha komunat. 

Në anën tjetër, Sahiti vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me RrGK-në dhe rëndësinë e vazhdimit të iniciativave të përbashkëta. 

“Komuna e Prishtinës ka bashkëpunim shumë të mirë me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe i vlerëson jashtëzakonisht shumë iniciativat e RrGK-së që synojnë përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së vajzave dhe grave në Kosovë”, tha Sahiti Dhe shtoi se “mezi presim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës dhe konkretisht me Departamentin e Mirëqenies Sociale, drejt realizimit të qëllimeve tona të përbashkëta për përmirësimin e shërbimeve sociale cilësore për gratë dhe burrat e ndryshëm”. 

Kjo iniciativë është pjesë e Strategjisë së RrGK-së dhe mbështetet nga East-West Management Institute (EWMI) dhe Bashkimi Evropian në Kosovë.