Më 24 shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u dërgoi Kryesuesve/eve dhe anëtarëve/eve të Kuvendeve Komunale rekomandime për integrimin e barazisë gjinore gjatë shqyrtimit dhe miratimit të Buxhetit Vjetor 2027.
Më herët gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit, RrGK u kishte dërguar kryetarëve të komunave dhe drejtorive komunale rekomandime konkrete për Buxhetin 2027. Tani, në fazën e shqyrtimit dhe miratimit, RrGK u ka bërë thirrje anëtarëve/eve të Kuvendeve Komunale që të shqyrtojnë nëse këto rekomandime dhe nevojat e identifikuara të grave dhe vajzave janë reflektuar në propozim-buxhetet e komunave të tyre.
RrGK ka rekomanduar që Kuvendet Komunale t’i kushtojnë vëmendje të veçantë financimit të shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe edukimit në fëmijërinë e hershme; psikologëve dhe asistentëve personalë në shkolla; Qendrave për Punë Sociale dhe shërbimeve për viktimat/të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore; shërbimeve të shëndetit riprodhues; mbështetjes për gratë në bujqësi; transportit publik në zonat rurale; infrastrukturës së qasshme dhe të sigurt; si dhe pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në sport.
RrGK gjithashtu u ka rekomanduar Kuvendeve Komunale që, gjatë shqyrtimit të propozim-buxhetit, të kërkojnë Aneksin për Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor dhe të shqyrtojnë nëse ekziston një lidhje e qartë ndërmjet pabarazive të identifikuara, objektivave, aktiviteteve dhe ndarjeve buxhetore për vitin 2027.
Para miratimit përfundimtar të buxhetit, anëtarët/et e Kuvendeve Komunale mund të luajnë rol të rëndësishëm duke kërkuar sqarime për ndarjet buxhetore, duke propozuar ndryshime aty ku është e nevojshme dhe duke kërkuar që prioritetet e ngritura nga gratë dhe organizatat e shoqërisë civile gjatë konsultimeve publike të reflektohen në buxhet.
Përmes këtyre rekomandimeve, RrGK synon të kontribuojë që burimet publike komunale të përdoren në mënyrë më efektive dhe të përgjegjshme gjinore, duke iu përgjigjur nevojave të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm.
