Prishtinë, Kosovë, 23 shtator 2026 – Sot, në Forumin Ekonomik të Grave (FEG) dhe në bashkëpunim me projektin EREA të Caritas-it Zviceran, u zhvillua diskutim i gjerë rreth politikave për forcimin e përfshirjes së grave në bujqësi, pjesëmarrës të së cilit ishin edhe zyrtarë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit; Inspektorati i Punës; Administrata Tatimore e Kosovës; si dhe ekspertë të shoqërisë civile.
“Politikat publike të bazuara në evidencë janë qenësore për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Zhvillimi i bujqësisë konsiderohet një nga sektorët me potencialin më të madh për zhvillimin ekonomik në Kosovë, ndërsa punësimi në këtë sektor mbetet një problem evident”, tha Saxhide Mustafa nga Instituti Riinvest dhe Koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave (FEG).
Ajo tutje theksoi se joaktiviteti i grave ende mbetet shumë i lartë, me 74%. “Punësimi i grave është i përqendruar në sektorë që nuk kanë potencial të madh zhvillimi, si tregtia, arsimi dhe shëndetësia. Andaj, punësimi i qëndrueshëm shihet si një problem për gratë, sidomos për gratë në moshën riprodhuese. Kur kemi më shumë gra në ekonominë e Kosovës, rritet edhe kreativiteti dhe konkurrueshmëria”, tha Mustafa.
Adnan Ahmeti, Menaxher i Programit për Edukim në Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), tha se Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim e ka mbështetur për shumë vite zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, me fokus të veçantë në fuqizimin ekonomik të grave.
“Përmes programit EREA, të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe të zbatuar nga Caritas-i Zviceran, kemi parë se mbështetja e targetuar mund t’i ndihmojë gratë të fuqizojnë bizneset e tyre, të përmirësojnë prodhimin dhe të kenë qasje në mundësi të reja”, tha Ahmeti. Ai po ashtu tha se, për të sjellë ndryshime të qëndrueshme, duhet të shkohet përtej mbështetjes individuale, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së grave në politikat bujqësore dhe në programet mbështetëse.
“Gratë duhet të përfshihen në mënyrë më të mirë në politikat bujqësore dhe në programet mbështetëse, si dhe të kenë qasje të barabartë në burime, shërbime, tregje dhe vendimmarrje”, tha Ahmeti.
Ndërkohë, zj. Astrid Wein, Drejtoreshë e Caritas-it Zviceran në Kosovë theksoi se “Gratë tashmë po japin një kontribut të madh në ekonominë e Kosovës. Megjithatë, kjo duhet të bëhet e dukshme, duhet të njihet kontributi i tyre dhe gratë duhet të mbështeten përmes masave afirmative nga institucionet kombëtare dhe lokale, në mënyrë që ato të kenë qasje në financa, burime e teknologji dhe të mund ta shfrytëzojnë potencialin e tyre të çmuar. Si Caritas Zviceran, ne mbetemi të gatshëm të mbështesim fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë”.
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila tha se “Vitet e fundit kemi parë ende ngecje të konsiderueshme në përfshirjen ekonomike të grave dhe vajzave. Rreth 65% e grave mbeten joaktive në tregun e punës, çka përfaqëson një potencial të madh të pashfrytëzuar. Prandaj, kemi dizajnuar skema të veçanta për bizneset në pronësi të grave, të cilat aktualisht janë në procesin final të vlerësimit. Po punojmë për thjeshtimin e procedurave dhe ofrimin e udhëzimeve më të qarta, në mënyrë që gratë të kenë qasje më të lehtë në mundësitë ekonomike dhe mbështetjen institucionale”.
Bujqësia mund të kontribuojë në fuqizimin ekonomik rural, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e prodhimit ushqimor. Dëshmitë tregojnë se pjesëmarrja më e madhe e grave në fuqinë punëtore mund të kontribuojë në barazi, konkurrueshmëri dhe zhvillim ekonomik.
Ndërkohë, pabarazitë ndërmjet grave dhe burrave mund të pengojnë zhvillimin rural dhe të ndikojnë negativisht në jetën e familjeve. Profili Gjinor i Kosovës për Bujqësinë dhe Jetesën Rurale, i publikuar në vitin 2024 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), ka treguar se qasja e pabarabartë në pronë, tokë, asete, financa, transport, rrjete/shoqata të biznesit, mundësi për trajnime dhe tregje prek veçanërisht gratë. Përgjegjësitë e pabarabarta dhe të papaguara të kujdesit brenda familjes, si dhe puna informale e grave si anëtare të paregjistruara të familjes që punojnë në biznesin familjar, gjithashtu i prekin gratë më shumë se burrat. Gratë, puna e të cilave nuk është e regjistruar, nuk kontribuojnë në skemat pensionale, duke rritur rrezikun e varfërisë së tyre në moshë të shtyrë.
Pjesëmarrësit diskutuan këto sfida dhe mundësitë e politikave për adresimin e tyre, të përgatitur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) për FEG.
Rekomandimet kryesore përfshinë:
- Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare: Thjeshtimi i proceseve dhe minimizimi i kohës së nevojshme për përfshirjen dhe largimin nga programet e asistencës sociale.
- Ministria e Financave: Vendosja e stimujve financiarë, përfshirë lehtësime të përkohshme tatimore dhe subvencione pensionale, për të inkurajuar ndërmarrjet e vogla të regjistrojnë punëtorët; si dhe zbatimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, i kërkuar nga Ligji për Barazinë Gjinore dhe qarkoret buxhetore.
- Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi i Kosovës: Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-125 për Pronën Publike të vendosen masa afirmative për gratë ndërmarrëse në. përmes masave afirmative në administrimin dhe disponimin e saj. Kërkesa jonë për këtë amendamenimt synon të avancojë parimin e barazisë dhe të përmirësojë qasjen e grave në pronën publike pas parasysh që prona paraqitet si një nga pengesat kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të ndërmarrësisë të grave
- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe komunat: Rishikimi i kritereve për grantet dhe subvencionet bujqësore, duke hequr kërkesat që mund të kufizojnë qasjen e grave, përfshirë kërkesat për pronësi të pronës, bashkëfinancim dhe arsimim; si dhe zbatimi i masave afirmative për të rritur qasjen e grave në grantet dhe subvencionet bujqësore.
- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit: Ofrimi i stimujve për transformimin e punës së papaguar dhe informale në ndërmarrjet e vogla në punë formale dhe të regjistruar, përmes kërkesave të lidhura me subvencionet.
- Inspektorati i Punës: Forcimi i kapaciteteve inspektuese, trajnimi i inspektorëve për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në punë, si dhe shfrytëzimi i inspektimeve për të rritur njohuritë, regjistrimin e punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës, veçanërisht në ndërmarrjet e vogla.
- Komunat dhe drejtoritë komunale të bujqësisë: Zgjerimi i shërbimeve të përballueshme dhe të qasshme të kujdesit; përmirësimi i informimit dhe komunikimit me gratë rurale për grantet, subvencionet, trajnimet dhe mundësitë e tjera, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile të grave; si dhe përmirësimi i transportit të rregullt dhe të përballueshëm ndërmjet fshatrave, qendrave komunale dhe tregjeve.
FEG është koalicion i organizatave të shoqërisë civile, ku bëjnë pjesë Instituti Riinvest, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Democracy for Development, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës, Women for Women Kosovo, Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Instituti GAP dhe QIKA.
Ngjarja u mbështet nga projekti “Empowering Rural Economies in Agriculture” (EREA), i zbatuar nga Caritas Zviceran me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim.
