Shoqëria civile kërkon rritjen e buxhetit për shërbimet sociale në Buxhetin 2027 

Më 12 nëntor 2026, deputetëve të Kuvendit të Kosovës iu dërgua një kërkesë e përbashkët e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) me 35 organizata anëtare, Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me 108 organizata anëtare. Ato i kërkuan parlamentarëve që në buxhetin e vitit 2027 të sigurojnë financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet sociale.  Në të, theksohet se me gjithë progresin në kornizën ligjore, financimi i shërbimeve sociale mbetet shumë prapa nevojave të fëmijëve, grave dhe familjeve. Pa këtë financim, reforma e mbrojtjes sociale nuk mund të zbatohet në mënyrë efektive. 

Shërbimet sociale ofrohen kryesisht nga 38 Qendra për Punë Sociale (QPS) dhe rreth 50 organizata të licencuara. Në komunat e mëdha, një zyrtar i QPS-së ka rreth 350 lëndë aktive në vit. Në shumicën e komunave, Organi i Kujdestarisë nuk ka pesë profesionistët që kërkon ligji. Shumë QPS nuk kanë as automjete zyrtare dhe mjete pune për vizita në familje dhe ndërhyrje emergjente. Organizatat e licencuara rrezikojnë vazhdimisht ndërprerjen e shërbimeve për shkak të mungesës së financimit. 

Aktualisht, nga buxheti i shtetit ndahen rreth 20 milionë € në vit për shërbimet sociale. Organizatat vlerësojnë se nevojiten edhe 16 milionë € në vit, gjithsej rreth 36 milionë €. Shuma shtesë është vetëm rreth 0.4% e projektbuxhetit 2027, që arrin 4.27 miliardë €. Kërkesat konkrete janë: 

  • 200 zyrtarë të rinj të shërbimeve sociale në QPS, me fokus te psikologët klinikë. Qëllimi është funksionalizimi i Organeve të Kujdestarisë, si dhe sigurimi i infrastrukturës dhe mjeteve logjistike. Kostoja vlerësohet rreth 1.68 milionë € në vit. 
  • Dy zyrtarë në çdo komunë për rastet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje, dhe katër për Prishtinën. Kostoja do të ishte rreth 707,078 € në vit. Kjo do të mbështeste zbatimin e Protokollit të ri Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale. 
  • Dyfishimi i buxhetit për thirrjen publike për organizatat e licencuara, nga 2.5 milionë € në së paku 5 milionë € në vit. Shuma prej 2.5 milionë € ka mbetur e pandryshuar dhe mbulon të gjitha shërbimet sociale dhe familjare. Sipas raportit të RrGK-së “Me çfarë kostoje?”, vetëm shpenzimet bazike të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje kushtojnë 2,339,631 €. Shërbimet në familje dhe ato ditore financohen mesatarisht vetëm 25% të kostove të tyre. 

Më 19 nëntor 2026, KOMF dhe Rrjeti i Grave të Kosovës organizuan një protestë në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë. Pjesëmarrësit, mes tjerash, kërkuan edhe rritjen e fondeve për shërbimet sociale dhe familjare në Buxhetin 2027. Donjeta Kelmendi nga KOMF tha se ndarjet e parashikuara buxhetore nuk u përgjigjen nevojave reale. Ajo paralajmëroi për gjendjen e rëndë të QPS-ve dhe të organizatave të licencuara. Besarta Breznica nga RrGK kërkoi financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm, që gratë e mbijetuara të dhunës dhe fëmijët në nevojë të mos mbesin pa mbështetje. 

Gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit 2027 në lexim të parë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, u kujtoi kolegëve se të gjithë deputetët e kishin marrë letrën e organizatave. Ai e ngriti kërkesën për rritjen e financimit për shërbimet sociale me 16 milionë euro.  

KOMF, Asociacioni i QPS-ve dhe RrGK do të vazhdojnë të ndjekin procesin buxhetor. Ato u bëjnë thirrje deputetëve që këto rekomandime t’i trajtojnë me prioritet edhe në leximin e dytë, në mënyrë që institucionet dhe organizatat të ofrojnë shërbime cilësore, të qasshme dhe në kohë. 

Lexoni letrën me kërkesa këtu