RrGK pjesë e diskutimeve për Agjendën Parlamentare për Gratë dhe Këshillin për Barazi Gjinore të Presidencës 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me organizatat anëtare është bërë pjesë e diskutimeve dhe përpjekjeve për avancimin e Agjendës Parlamentare për Gratë dhe Këshillin për Barazi Gjinore të Presidencës, me synim që nevojat dhe prioritetet e grave të Kosovës të përfshihen në vendimmarrje dhe në politikat institucionale. 

Në këto diskutime janë përfshirë edhe disa nga organizatat anëtare të RrGK-së, si dhe përfaqësues të Forumit Ekonomik të Grave të Kosovës. Përfshirja e tyre është e rëndësishme për të siguruar që përvojat, perspektivat dhe prioritetet e organizatave të grave të reflektohen në agjendat institucionale.  

Gjatë diskutimeve, RrGK ka theksuar rëndësinë e një Kuvendi që jo vetëm miraton ligje, por edhe mbikëqyr zbatimin e tyre nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse. Në këtë drejtim, RrGK ka kërkuar mbikëqyrje më të fuqishme parlamentare për të vlerësuar nëse Qeveria po i përmbush obligimet ligjore, nëse ministritë po i zbatojnë siç duhet buxhetet e miratuara dhe nëse politikat e miratuara po japin rezultatet e synuara. Po ashtu, RrGK ka kërkuar që Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) të integrohet dhe të zbatohet në punën e të gjitha komisioneve parlamentare, në mënyrë që perspektiva gjinore të merret parasysh në shqyrtimin e ligjeve, politikave dhe buxheteve në çdo fushë. Një tjetër kërkesë e RrGK-së është përfshirja më e strukturuar e shoqërisë civile, veçanërisht e organizatave për të drejtat e grave, në proceset parlamentare. Këto organizata kanë ekspertizë, hulumtime dhe dëshmi nga puna e drejtpërdrejtë me gratë dhe komunitetet, të cilat duhet të shërbejnë si bazë për vendimmarrje. 

Në këtë kuadër, Nazife nga organizata anëtare e RrGK-së, Liria në Gjilan, ka ngritur nevojën për një linjë të veçantë buxhetore për strehimoret, e cila do të mundësonte financim të qëndrueshëm dhe të përshtatur me nevojat reale të tyre. Kjo është një kërkesë që RrGK e mbështet plotësisht. 

Po ashtu, RrGK ka theksuar nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit për adresimin e dhunës me bazë gjinore. 

Ndërkohë, rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi me organizatat e grave për të siguruar që ligjet e propozuara të bazohen në analiza të ndikimit gjinor. Komisionet parlamentare duhet të sigurojnë që këto analiza të jenë kryer dhe shqyrtuar përpara se projektligjet të procedohen për votim në Kuvend. Kjo është thelbësore për të vlerësuar paraprakisht se si vendimet institucionale ndikojnë te gratë dhe vajzat dhe për të parandaluar pasoja që mund të cenojnë të drejtat dhe barazinë e tyre. 

Gjatë diskutimit me Presidenten, si fusha që mund të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e saj të veçantë u veçuan edhe adresimi i dhunës me bazë gjinore si urgjencë kombëtare, si dhe fuqizimi ekonomik i grave. Këto fusha kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional dhe bashkëpunim për të sjellë ndryshime konkrete në jetën e grave dhe vajzave. 

Në kuadër të Agjendës Parlamentare për Gratë, të iniciuar nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është paraparë një proces konsultimi në gjashtë rajone të Kosovës. Përmes takimeve me gra nga komunitete dhe sektorë të ndryshëm, synohet të identifikohen nevojat dhe sfidat e tyre, si dhe të diskutohen prioritetet që do të orientonin planifikimin dhe programet e ardhshme të Kuvendit. 

RrGK mirëpret këto iniciativa dhe shpreh gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Kuvendin dhe Presidencën. Përfshirja e organizatave të grave, shfrytëzimi i ekspertizës së tyre dhe llogaridhënia institucionale janë thelbësore që këto agjenda të mos mbeten vetëm dokumente, por të përkthehen në veprime dhe rezultate konkrete për gratë dhe vajzat në Kosovë.