Ariana Qosaj-Mustafa: Vit i suksesshëm i RrGK-së, pavarësisht sfidave

Pa asnjë dyshim, viti 2020 ka qenë i vështirë për të gjithë, e me theks të veçantë për organizatat për të drejtat e grave.

Pavarësisht sfidave e vështirësive, gjatë këtij viti Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka vazhduar avokimet për të rritur dhe përmirësuar pozitën e grave dhe vajzave në proceset vendimmarrëse, për të luftuar dhunën me bazë gjinore, si dhe ka bërë avokime për përmirësimin e kornizës ligjore që rregullon të drejtat e grave në disa fusha ekonomike, shoqërore e politike.

Një vit i paparashikueshëm

Në gjithë punën dhe suksesin e RrGK-së një rol të veçantë ka zënë Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së, e cila ka përfaqësuar RrGK-në në ngjarje të rëndësishme për barazinë gjinore në Kosovë.

Ajo tregon si ishte ky vit për RrGK-në, teksa vë në pah faktin që askush nuk mund të përgatitet për nje situatë të këtillë, siç është përhapja e pandemisë COVID-19.

“Viti i pandemisë ndali shumë aktivitete përnjëherë. Mirëpo, besoj se shpejt kemi reaguar dhe si gjithmonë nuk ka munguar solidariteti dhe mobilizimi. Posaçërisht do të cekja edhe sfidën e izolimit për të gjithë, përfshirë këtu karantinimin në muajt e parë të këtij viti si dhe ndalimin e lëvizjes së qytetarëve për të parandaluar përhapjen e pandemisë”, thotë ajo.

Tutje, Qosaj-Mustafa përmend ndikimin e izolimit në rritjen e dhunës ndaj grave, si dhe raportimin e shtuar të dhunës në nivel global, përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Kërkesa për reagimin institucional ishte vështirësuar duke marrë parasysh edhe ndalimin e mbledhjeve publike. Por, me të gjitha sfidat RrGK ia ka dalë në mënyrë të jashtëzakonshme të ri-adaptohet në këto rrethana dhe vazhdon avokimin duke kërkuar vazhdimisht përgjigje adekuate institucionale si dhe llogaridhënie.”

Ajo vlerëson se RrGK ka vazhduar të jetë një zë autoritativ në Kosovë dhe gjetiu, për të tërhequr vëmendjen në zbatimin e të drejtave të garantuara me ligj. Por, sipas saj, fatkeqësisht të harruara si në kohë emergjente ashtu edhe në praktikë në përgjithësi. 

Ngjarjet kryesore ku Qosaj-Mustafa përfaqësoi RrGK-në

Ajo tutje tregon se ka pasur mjaft takime të përfaqësimit të punës së RrGK-së nga vetë stafi në mënyrë të vazhdueshme, të cilat shihen edhe nga raportet e rregullta mujore.

“Ndoshta do të veçoja pjesëmarrjen në emër të Rrjetit në forumin e mbajtur online në nëntor 2020, organizuar nga Lobi Regjional për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore, përkrahur nga Ambasada Italiane në Kosovë.”

Kjo ngjarje mblodhi gratë në politikë dhe aktivistet për të diskutuar rolin e grave në paqeruajtje, në shënim të përvjetorit të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për Paqen, Sigurinë dhe Gratë.

“Ishte një mundësi e jashtëzakonshme ku patëm mundësi të prezantonim punën e Rrjetit, por edhe të avokojmë si gjithmonë për paqe afatgjatë me anë të rritjes së pjesëmarrjes së grave në këtë drejtim. Do të veçoja faktin se që sa vite RrGK në bazë të punës hulumtuese dhe profesionale ka kërkuar zbatimin e vazhdueshëm të Rezolutës 1325”, thotë ajo.

Qosaj-Mustafa vë në pah kërkesat e dala edhe nga raporti hulumtues “Ku është vendi im në tavolinë”, i cili në atë kohë ishte në finalizim e sipër, kurse pritet të publikohet në janar 2021.

Qosaj-Mustafa gjatë Kuvendit të 18-të Vjetor të Anëtareve të RrGK-së, Dhjetor, 2020

Ajo tregon se po ashtu u diskutua edhe lidhur me letrën e avokimit dërguar kryeministrit z.Avdullah Hoti, Koordinatorit shtetëror për Dialog z. Skender Hyseni dhe të dërguarit special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, z. Miroslav Lajčák. Ndër kërkesat për zbatim të menjëhershëm të nevojave dhe prioriteteve të grave dhe vajzave të identifikuara në këtë raport janë:

  • Njohje të Kosovës nga Serbia dhe kërkim falje publike nga shteti serb për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë; 
  • Kthimin e personave të pagjetur; 
  • Ndjekje penale ndaj personave që kanë kryer krime lufte në Kosovë, përfshirë dhunën seksuale të kryer gjatë luftës, duke arritur kështu drejtësinë; dhe 
  • Kompensim dhe dëmshpërblim për shkatërrimet materiale, duke përfshirë kthimin e pensioneve.   

Puna dhe aktivizmi i RrGK-së në kohën e pandemisë

Qosaj-Mustafa është e mendimit se të gjitha aktivitetet e RrGK-së gjatë kësaj kohe kanë rëndësinë e tyre. Kjo sepse, sipas saj, është e pamundur të mendohet për barazinë dhe fuqizimin e grave duke mos respektuar njërën dhe duke i dhënë prioritet tjetrës.

“Kjo tregohet edhe në luftën kundër dhunës në baza gjinore, për shembull dhe kërkesat e fundit të Konventës së Stambollit, e cila kërkon aktivisht nga shtetet të ndërmarrin të gjitha veprimet në të njejtën kohë. Duke ofruar vetëdijesimin e qytetarëve dhe ngritur vetëdijen lidhur me reagimin institucional adekuat; mbrojtjen e viktimave si dhe kërkesën për përfundimin e pandëshkueshmërisë së autorëve të krimeve të dhunës në baza gjinore. Gjitha veprimet duhet ndërmarr në të njejtën kohë.”

Në këtë fryme, ajo kujton se edhe RrGK ka Strategjinë, e cila ka prioritizuar veprimet e RrGK-së në vitet para nesh që të punohet bashkërisht dhe në mënyrë të koordinuar në zbatimin e të drejtave në të gjashtë fushat programatike të identifikuara në Strategji së bashku me organizatat anëtare.

Sfidat janë të pashmangshme, por me punë çdo gjë është e mundur

Për fund, Qosaj-Mustafa ka një mesazh për gratë dhe vajzat të cilat hasin vështirësi gjatë rrugëtimit të tyre në karrierrë. 

“Sfida gjithmonë do të ketë. Por, mos lejoni askënd të ju ndalë në rrugëtimin tuaj. Para shumë vitesh shoqëria hezitonte t’i pranonte gratë si pilote, inxhiniere e shkencëtare për shembull. Kurse, shiheni sot një prej zbuluesve të vaksinës kundër Covid-19 është grua.”

Andaj, ajo vlerëson se modelet ku gratë tregojnë qartë rolin e vet në udhëheqjen e përgjigjeve globale ndaj sfidave, siç është edhe një pandemi e këtyre përmasave, tregon se asnjë rrugëtim nuk është i lehtë.

“Megjithatë, me një vizion të qartë lidhur me atë se çfarë doni dhe punë të vazhdueshme, çdo gjë është e mundur”, përfundon ajo.

***

Për të gjitha aktivitetet e RrGK-së dhe anëtareve të saj, nismave e avokimeve të shumta vizitoni faqen tonë www.womensnetwork.org, apo na ndiqni në rrjetet sociale:

Facebook: /rrjetiigrave

Twitter: /KWN_Rrggk

Instagram: /kosovawomensnetwork