Art Without Limit organizon festivalin që nxjerr nga hija në dritë personat me aftësi ndryshe

Për të tretën herë me radhë Art Without Limit organizoi festivalin e vetëm në rajon dedikuar personave me aftësi ndryshe. Ideatorja e “Art Without Limit International Film Festival”, Ganimete Sava, në një intervistë për Rrjetin e Grave të Kosovës tregon për jehonën që ka marrë festivali.

Ganimete Sava

“Në këtë edicion kanë aplikuar mbi 1000 filma, por nga ta janë përzgjedhur 50 filma të shkurtër, të cilët janë pranuar nga regjisorë dhe aktorë të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, e disa nga të cilët kanë punuar dhe luajtur edhe në filma dhe seriale të mëdha, siç janë; Game of Thrones, Gangs of London, Harry Potter, etj.”

Drejtoresha ekzekutive e Art Without Limit është e kënaqur që tash e tre vjet personat me aftësi ndryshe kanë një festival dedikuar vetëm për ta.

“Personat me aftësi të kufizuar në Kosovë tashmë kanë platformën dhe adresën e tyre. Ata çdo vit bëhen bashkë krijojnë miqësi të reja me personat e tjerë me aftësi të kufizuar jo vetëm kosovarë por edhe ndërkombëtarë, shikojnë filma të mrekullueshëm me tema motivuese bashkë me familjarët e tyre dhe shoqërinë,” tha Sava.

“Nga komunikimi me personat me aftësi të kufizuar kemi kuptuar ne, stafi, vullnetarët dhe kolegët që ata janë shumë të lumtur për këtë event që po zhvillohet tani e tri vite, dhe po krijohet një mundësi e mirë për të dalë nga hija në dritë vetë këta persona.”

Ideja për një festival të tillë, Ganimete Savës i lindi vite më parë, kur mori pjesë në një festival të ngjashëm në Finlandë.

“Duke pasur parasysh se në Kosovë jetojnë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara, të kategorive të ndryshme, krijova si ide që edhe këtu duhet të krijojmë një festival të tillë pasi ka shumë njerëz me aftësi ndryshe dhe nëpërmjet filmave ata mund ta gjejnë veten të motivohen, të frymëzohen dhe të sjellin ndërgjegjësim tek personat e tjerë me aftësi ndryshe në Kosovë e më gjerë,” shprehet ajo.

Dhe puna e saj është shpërblyer. Këtë vit filmi dokumentar “Sparks of Light”, producente e të cilit është Ganimete Sava ka fituar çmimin “Filmi më i mirë dokumentar në kategorinë ndërkombëtare” në edicionin e 22 të International Film Festival Zimbabwe 2022. AWL synon të vazhdojë aktivitetet e tilla dhe ta shndërrojë festivalin në tradicional.

“Planet e AWL janë që të vazhdojë me aktivitete të ndryshme artistike, gjithashtu me festivalin i cili tashme ka marre përmasa ndërkombëtare, duke pasw në juri emra të mëdhenj të filmit nga Hollivudi, Evropa e Kosova,” shprehet Sava.