Avokati i Popullit së bashku me disa Organizata Joqeveritare (OJQ), përfshirë edhe Rrjetin e Grave të Kosovës, kanë ndërmarrë iniciativë të përbashkët për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Kështu me 10 dhjetor, Avokati i Popullit, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, aktivistë, përfaqësues të tjerë ata u mblodhën në Teatrin Kombëtar për të vazhduar tutje me marshimin, tashmë tradicional, në Sheshin e Prishtinës, me moton “Çohu për të Drejtat e Njeriut”.
Iniciativa ka për qëllim të përçojë fuqishëm kërkesën për angazhim të shtuar gjithpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut si dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit efektiv për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë.
Ndonëse me ligje shumë të mira në letër, të pranishmit shprehën paknaqësinë për shkeljet që bëhen në baza ditore lidhur me të drejtat e fëmijëve, të drejtat e të rinjve, për të drejtat e grave, të drejtat e të moshuarve, të drejtat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, të drejtat e komunitetit LGBTI dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Ndrësa, Hilmi Jashari, Avokat i Popullit theksoi se edhe pse kushtetuta e Kosovës garanton shumë të drejta, duhet të punohet akoma më shumë që të zbatohen këto të drejta ne Kosovë.
Rikujtojmë se në vitin 2017 Institucioni i Avokatit të Popullit bashkë me përfaqësues të OJQ-ve kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët, duke u zotuar se do të jenë gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të njeriut.