BE dhe RrGK, aleatë të fuqishëm në promovimin e Barazisë Gjinore në Kosovë

Foto: Europe House Kosovo, Facebook

“Flasin Gratë – Një vit i përkrahjes nga BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në Kosovë”, është  publikimi i lansuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 9 mars nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, gjatë një ceremonie ku e pranishme ishte Ambasadorja Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së / Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, me fjalë rasti edhe nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Publikimi përmban intervista me gratë që ishin pjesë e ‘EU Gender Talks’ gjatë vitit 2019, dhe përmbledhje nga të gjitha projektet e BE-së në Kosovë me fokus barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Në të 12 sesionet janë trajtuar tema si; gratë në biznes, gjinia dhe rinia, gjinia në kohë zgjedhjesh, gratë në media, si dhe gratë dhe mjedisi.

Në fillim të këtij publikimi përmendet se BE mbetet një përkrahës dhe kontribues i përkushtuar kur bëhet fjalë për fuqizimin e grave. Tutje, thuhet se Kosova ka nevojë për më shumë gra në pozita të larta politike, më shumë gra në pozita udhëheqëse, në art dhe sport, shëndet, edukim dhe kulurë, si dhë në të gjitha sferat e tjera të jetës që kërkojnë lidership.

Përmes këtij publikimi po ashtu vlerësohet Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe përpjekjet e tij për arritjen e barazisë gjinore vlerësohen, fuqizimit të grave dhe një shoqëri më të barabartë në çdo fushë.

Vëmendje e veçantë i kushtohet faktit që i gjithë stafi i BE-së në Kosovë është trajnuar për Barazinë Gjinore nga Qershor 2018-Gusht 2019.

Përveç kësaj, u ofrua edhe trajnim i veçantë për menaxhmentin si dhe monitorim lidhur me atë se sit ë bëhet analiza gjinore në programe të sektorëve të ndryshëm. Trajnerja kryesore ishte Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit/Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK, e asistuar nga Lina Andeer, ish-këshilltare ligjore në EULEX, dhe pastaj e asistuar nga Reyes Charle-Cuellar, këshilltare gjinore në Zyrën e Përfaqësueses Speciale e BE-së në Kosovë. Që nga viti 2015, Zyra e BE-së në Kosovë e ka kontraktuar RrGK-në për ekspertizë të lartë gjinore nga jashtë.

Publikimi po ashtu vlerëson punën dhe përpjekjet e RrGK-së për të Fuqizuar Pjesëmarrjen e Grave në Politikë, nismë kjo katër vjeçare e mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë.

 “RrGK është organizatë ombrellë që është unike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ajo bën bashkë më shumë se 158 organizata anëtare dhe partnerë dhe ka një mision për të mbështetur, mbrojtur dhe promovuar të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave, pavarësisht bindjeve të tyre politike dhe fetare, moshës, arsimit, orientimit seksual ose aftësive. […] BE dhe RrGK do të vazhdojnë të punojnë në partneritet për të promovuar barazinë gjinore në Kosovë.”

Në mesin e aktiviteteve të tjera që vlerësohen, përmendet edhe ndarja e fondeve që RrGK-bën për organizatat lokale për të drejtat e grave, si dhe mbështetja e Koalicionit të grave politikane, i cili sjell së bashku ish-përfaqësueset dhe përfaqësueset e ardhshme të nivelit lokal.

Gjatë këtij lansimi ambasadorja Apostolova tha që ‘EU Gender Talks’ kanë ofruar një platformë e cila ka mundësuar që zëri i grave të dëgjohet.

“Në Kosovë gjithashtu kemi hasur vështirësi për shkak të sterotipeve gjinore. Megjithatë, ne jemi duke parë një momentum sa i përket arritjes së barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave kosovare. Jemi duke përjetuar një rritje të rëndësishme të emërimit të grave në pozita vendimmarëse”, u shpreh ajo.

Avokati i Popullit, Jashari foli mbi rolin jetik të mbështetjes ndërkombëtare dhe të asaj të shoqërisë civile në përparimin e bërë për arritjen e barazisë gjinore në këto 20 vitet e fundit.

Megjithatë, u vu në pah nevoja për përparim të mëtutjeshëm drejt arritjes së barazisë gjinore.

Ky publikim përmban pikat kryesore nga sesionet e sipërpërmendura. Qëllimi i tij është kontrbuti në promovimin e barazisë gjinore në Kosovë.