Delegacioni i lartë i FMN-së viziton RrGK-në

Të mërkurën me 21 shtator zyrën e RrGK-së e ka vizituar një delegacion i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) i udhëhequr nga zëvendësdrejtori Menaxhues i FMN-së, z. Bo LI, Drejtori Ekzekutiv Daniel Palotai, znj. Stephanie Eble, Përfaqësuese Rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe Përgjegjëse për Zyrën në Kosovë, Departamenti Evropian, z. Gabriel Di Bella, Shef i Misionit të FMN-së për Kosovë, z David Sharrock, Zyrtar nga Departamenti për Komunikim dhe z. Selim Thaçi, Ekonomist, Zyra e Përfaqësuesit të Përhershëm në Kosovë.

Drejtorja Ekzekutive Igballe Rogova dhe Menaxherja e Financave Besa Shehu informuan delegacionin e FMN-së për angazhimit e kahmotshëm të RrGK-së për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë, sfidat me të cilat përballen vajzat dhe gratë dhe nevojën e fuqizimit të tyre politikisht dhe ekonomikisht.

Gjithashtu diskutuan për strategjinë e re të FMN-së ku për herë të parë në të përfshihet edhe barazia gjinore.

Gjatë takimit u diskutua për nevojën që organizatat për të drejtat e grave të jenë të përfshira në proces dhe të bëhen aleate në avancimin e mëtejm të barazisë gjinore.

Gjithashtu RrGK iu sugjeroi mysafirëve të lartë nga FMN që kushti që FMN-ja i vendos qeverisë së Kosovës gjatë procesit të dhënies së huave t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit gjinor për t’u siguruar që ai nuk do të kenë ndikim negativ tek gratë dhe fëmijët, p.sh., duke ulur shpenzimet publike për programet kryesore në përpjekje për të reduktuar deficitet buxhetore.