Dialogu i Lisbonës: Rrjeti i aktivistëve dhe diplomatëve për zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Sot, Ambasada e Republikës së Kosovës në Portugali dhe Platforma Portugeze për të Drejtat e Grave (PpDM) organizuan së bashku një diskutim me temë: “Dialogu i Lisbonës: të Drejtat e Grave dhe Paqja – 25 vjet pas Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Drejtoresha ekzekutive e RrGK, Igballe Rogova, ishte folësja kryesore, duke rrëfyer përvojën prej 25 vitesh në avokimin për zbatimin e kësaj rezolute në Kosovë dhe më gjerë.

Sesioni kishte për qëllim të nxisë një reflektim të përbashkët mbi gjendjen aktuale të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), 25 vjet pas miratimit të Rezolutës historike 1325, e cila njohu rolin thelbësor të grave në parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes dhe udhëheqjen e proceseve të rindërtimit pas konfliktit.

Kjo iniciativë bashkoi përfaqësues të shoqërisë civile dhe misioneve diplomatike në Portugali për të diskutuar prioritetet e përbashkëta dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar drejt zbatimit të Agjendës GPS, në një kontekst ku prioritetet politike ndryshojnë dhe ekziston rreziku i regresit në të drejtat e grave.

Pjesëmarrësit reflektuan mbi arritjet dhe sfidat aktuale në zbatimin e Rezolutës 1325. Ata ranë dakord mbi rëndësinë e partneriteteve të gjera dhe strategjike, si dhe të angazhimit të shoqërisë civile, misioneve diplomatike, grave dhe burrave për t’u përballur me kërcënimet e sotme ndaj të drejtave të grave dhe Agjendës GPS.

Siç theksoi PpDM, “Pjesëmarrja e të gjithëve është thelbësore për të forcuar këtë agjendë globale.”

Ambasadorja e Kosovës në Portugali, Edona Maloku Bërdyna, theksoi se gratë janë agjente të ndryshimit, siç e ilustron historia e Kosovës nga vitet 1990, përmes procesit të shtetndërtimit deri sot. Ajo vlerësoi punën e shoqërisë civile, duke theksuar se zërat e tillë “na mundësojnë të jemi aty ku jemi sot.”

Ambasadorja Maloku Bërdyna, duke bashkë-organizuar këtë ngjarje, dha shembull për zbatimin e Agjendës GPS. Ajo krijoi një hapësirë ku organizatat për të drejtat e grave mund të dialogojnë me ambasadat dhe zyrtarët mbi çështje të rëndësishme.

Siç theksoi Paula Barros, presidente e PpDM-së, “Nuk ka paqe pa pjesëmarrjen e grave”.

Çështjet kryesore të ndërlidhura, që u diskutuan përfshinin angazhimin e grave në proceset e paqes, kundërshtimin e ashpër ndaj lëvizjes së grave, djegien profesionale të aktivisteve, si dhe nevojën që Bashkimi Evropian (BE) të alokojë burime për sigurinë njerëzore, në vend që të fokusohet vetëm te militarizimi.

Zëvendësdrejtoresha dhe hulumtuesja kryesore e RrGK-së, Nicole Farnsworth, ndau mundësitë për avokim të përbashkët, duke bashkuar përpjekjet për të lobuar që BE-ja në kuadër të buxhetit të saj të ri shtatëvjeçar, Kornizës Financiare Shumëvjeçare, të alokojë burime për barazinë gjinore. Ajo foli gjithashtu për iniciativën e përbashkët të Rrjetit Evropian për Buxhetim Gjinor, Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetit Gjinor dhe Lobit Evropian të Grave, ndër të tjera, e cila synon të sigurojë që buxheti i BE-së të përqendrohet te siguria njerëzore dhe programet sociale.

Në përfundim të diskutimit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Portugali dhe PpDM riafirmuan “përkushtimin e tyre për të promovuar barazinë midis grave dhe burrave, për të konsoliduar paqen e qëndrueshme dhe për të mbrojtur të drejtat e grave në kontekste konflikti dhe pas konflikti.”

Në dialog morën pjesë, ndër të tjerët, ambasadorë nga Timori Lindor dhe El Salvadori.

PpDM është një rrjet prej 34 organizatash që ka avokuar për përmirësime në Planin e Katërt Kombëtar të Veprimit të Portugalisë për Agjendën GPS.

RrGK dhe PpDM ranë dakord mbi rëndësinë e solidaritetit midis aktivisteve dhe u zotuan të vazhdojnë rrjetëzimin drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta.