Policia e Kosovës (PK) dhe Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës (SHGPK) më 9 mars kanë hapur konferencën dy-ditore “Roli i zyrtareve policore në reagimin ndaj kërcënimeve transnacionale”.
Kjo konferencë, e para e këtij lloji e organizuar në rajon, mblodhi gra police nga 26 vende të botës, si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Kanadaja, Zelanda e re, Bangladeshi, Indonezia si dhe vende të rajonit si pjesë e Asociacionit Ndërkombëtar të Grave Police (IAWP).
Gjatë ditës së parë të konferencës u mbajtën katër diskutime të ndara me panele të përbëra nga gra dhe burra të fushës së sigurisë, institucioneve relevante, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, të cilët adresuan rëndësinë dhe kontributin e grave në paqe dhe siguri.
Fuqizimi dhe promovimi i grave në siguri, sfidat që hasin gratë dhe vajzat për përfshirje në këtë sektor, vështirësitë për avancim në karrierrë, të kuptuarit mbi shërbimin e njëanshëm policor dhe menaxhimi i çështjeve të viktimave ishin temat e trajtuara gjatë këtyre diskutimeve.
Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova ishte pjesë e panelit të titulluar “Qasja e përqendruar tek viktimat në procedurat policore/ menaxhimi i çështjeve”.
Ajo përgëzoi Policinë për këtë oganizim, i cili përkon me vitin e përvjetorit të rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara që adreson kontributin e grave në zgjidhje të konflikteve dhe paqes së qëndrueshme.
“Legjislacioni e kërkon dhe e ka definuar mjaft qartë bashkëpunimin me qendrat e punës sociale, mbrojtësit e viktimave, psikologët, mjekët etj. Ndërsa, për shkak të kushteve të mangëta me të cilat këto institucione ballafaqohen e ndonjëherë edhe mungesa e njohurive të zyrtarëve për traumat si dhe vlerat e tyre sociale shpesh kanë ndikuar që kjo qasje të mos ketë në qendër viktimën”, u shpreh Rogova.
Pjesë e panelit “Ku qëndrojmë në mbështetjen e fuqizimit dhe promovimit të grave në sektorin e sigurisë” ishte Ambasadorja Natalya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë. Ajo theksoi faktin se shërbimi policor dhe angazhimi në sektorin e sigurisë është një punë e përshtatshme në mënyrë të barabartë si për burra ashtu dhe për gra.
Tutje, ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, çmoi lart organizimin e kësaj konference, kurse ndër të tjerash përmendi sfidat me të cilat ballafaqohen gratë police në një punë që në shoqërinë tonë ende konsiderohet si punë e burrave.
“Ekzistojnë ende shumë sfida të grave police të cilat vërehen në çdo sferë, nga kultura e shoqërisë deri te kultura institucionale”, tha Jahjaga.
Pjesëmarrës të tjerë në konferencë ishin; Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qelaj, Drejtori për Investigimin e Trafikimit me qenie njerëzore, Fehmi Xhata, Gjykatësja Biljana Rexhiq , Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Ismaili, Drejtori i departamentit për Siguri Publike në misionin e OSCE në Kosovë, Edward Anderson, Kolonelja Zylfije Krasniqi, Udhëheqëse e Trajnimit të Specializuar brenda Policisë së Kosovës, si dhe Presidentja e IAWP- Deborah Friedl.
Ministri Veliu vuri në pah planet e kësaj ministrie duke u zotuar në promovimin e rritjes së numrit të grave në zbatimin e ligjit.
Përmes këtij organizimi Policia e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Grave shprehën përkushtimin për fuqizim të mëtejmë të rolit të gruas brenda këtij institucioni të sigurisë.